
Edhe pse konsiderohen një nga metodat më të sigurta për mbrojtje, statistikat tregojnë se rreth 8 në 100 gra mbeten shtatzënë çdo vit për shkak të përdorimit jo korrekt të prezervativëve. Shpesh thuhet se ata janë 98% efektivë, por kjo vlen vetëm kur përdoren siç duhet. Përveç shtatzënive të padëshiruara, rreziku më i madh mbetet përhapja e Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme, ndaj përdorimi korrekt është thelbësor.
Një nga pyetjet më të shpeshta është nëse prezervativi duhet përdorur çdo herë. Përgjigjja është e thjeshtë: po, gjithmonë. Edhe nëse përdoren metoda të tjera si pilulat kontraceptive, ato mbrojnë vetëm nga shtatzënia dhe jo nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Pra, prezervativi mbetet mbrojtja e vetme e dyfishtë.

Zgjedhja e duhur është po aq e rëndësishme. Modelet prej lateksi janë më të rekomanduarat, pasi ofrojnë mbrojtje më të lartë dhe janë më rezistentë. Madhësia gjithashtu ka rëndësi: një prezervativ shumë i ngushtë ose shumë i gjerë rrit rrezikun e çarjes. Në fakt, shumica e “aksidenteve” ndodhin për tre arsye kryesore: vendosje e gabuar, madhësi e papërshtatshme ose përdorim i tepërt i forcës.
Një tjetër situatë e zakonshme është kur partneri refuzon ta përdorë. Në këtë rast, ekspertët janë të qartë: respekti dhe siguria vijnë të parat. Nëse dikush nuk respekton kufijtë tuaj, atëherë është momenti për të rishikuar marrëdhënien.

Sa i përket erës karakteristike të prezervativëve, ajo vjen nga materiali i lateksit. Edhe pse mund të jetë e pakëndshme për disa, është një detaj i vogël krahasuar me mbrojtjen që ofron. Për ata që janë alergjikë ndaj lateksit, ekzistojnë alternativa si poliuretani apo poliizopreni, megjithëse ato mund të jenë pak më pak rezistente.

Në fund, mesazhi është i qartë: përdorimi i saktë i prezervativëve nuk është thjesht një zgjedhje, por një hap i domosdoshëm për shëndetin dhe sigurinë. Kujdesi në detaje të vogla mund të bëjë diferencën e madhe.


