Ajola Xoxa ka reaguar publikisht në lidhje me hetimin e SPAK ndaj saj dhe bashkëshortit, Erion Veliaj.
Në një deklaratë të gjatë, Xoxa theksoi disa aspekte të rëndësishme mbi hetimet që janë bërë publike ndaj saj, duke theksuar se janë të pavërteta.
Siç mund ta keni lexuar, Xoxa është në hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. SPAK po heton se për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, dyshohet se Xoxa ka bërë blerje online të cilat kapin shifrën rreth 860 mijë euro. Gjykata e Posaçme së fundmi vendosi të ndërronte masën e sigurisë ndaj Xoxës, nga "Arrest në shtëpi" në "Detyrim Paraqitje dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Në deklaratën e saj, Ajola Xoxa:
1. Thekson se është e hetuar, por jo e pandehur.
Shën.red. Në fushën juridike, termat "e hetuar" dhe "e pandehur" kanë kuptime të ndryshme. E hetuar - personi është në proces hetimi, por ende nuk është akuzuar formalisht. Hetimi është faza e parë e procedurës penale, ku organet e drejtësisë grumbullojnë prova për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe nëse duhet të ngritet një akuzë. Ndonëse një individ mund të jetë i hetuar, kjo nuk do të thotë automatikisht se është fajtor. E pandehur - individi është i akuzuar zyrtarisht për një vepër penale dhe do të përballet me gjykatën për të provuar pafajësinë ose fajësinë e tij. Kjo është faza që vjen pas hetimit.
2. Xoxa kundërshton akuzat se ka shpenzuar mbi 800 mijë euro për fustanë dhe bizhu, duke e konsideruar këtë shifër të pavërtetë dhe të fryrë nga media.
3. Ajo deklaron se totali i blerjeve të saj online për 10 vitet e fundit është 75,025 euro, shumë më e ulët se sa shifra që është përmendur në media.
4. Xoxa thekson se ka punuar si juriste dhe avokate për 17 vjet, është paguar mirë dhe ka pasur mbështetje financiare për studimet e saj të larta. Po ashtu, ka trashëguar prona dhe pasuri nga familja e babait të saj, duke përfshirë toka, ndërtesa dhe shtëpi, si në Tiranë ashtu edhe jashtë saj.
5. Ajola u shpreh se është e gatshme të dorëzojë prova financiare dhe dokumente për të vërtetuar se pasuria dhe shpenzimet e saj janë të ligjshme. Ajo shtoi se do të luftojë deri në Gjykatën e Strasburgut për pafajësinë e saj.
6. Ajo mohon që të ketë pasur ndonjë çantë Hermes a Chanel ose fustane të shtrenjta.
7. Xoxa e mbyll deklaratën duke shprehur një ndjenjë trishtimi për atë që e quan një "mizori juridike dhe mediatike”.
Deklarata e plotë:
Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.
****
E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta.
Tani jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë.
E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu.
Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nda deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025).
Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).
E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale (dhe këtë gjithashtu do ta detajoj imtësisht shumë shpejt). Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime.
Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Dikur pedagog, gazetar dhe kritik arti, pas ’90-ës im atë nisi të merrej me biznes, si shumë të tjerë. Unë kam patur fatin të rritem në një ndër ato familje shqiptare të tranzicionit me mundësi shumë të mira financiare, çka mundësoi edhe mbështetjen e studimeve të mia të larta për drejtësi, master e doktorature, në Paris e Romë.
Gjithashtu, veç mundësive shumë të mira financiare të prindërve të mi, unë kam punuar që fare e re në fushën e avokatisë dhe jam paguar gjithmonë shumë mirë e vazhdoj paguhem shumë mirë. Të ardhurat e mia në vite janë të deklaruara dhe publike.
Të gjithë ata që më njohin apo që kanë punuar me mua e dijnë fort mirë se unë nuk kam orar në punë, as ditë pushimi, punoj minimalisht 12 orë në ditë, çdo ditë; të gjithë klientëve të studios së avokatisë apo bashkëpunëtorëve të mi u shkojnë emaile nga unë edhe në 2 apo 3 të mëngjesit, edhe të dielave apo edhe në mes të gushtit. E ndaj jetën mes punës dhe përkujdesjes për familjen time.
Të gjitha blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat (them “konsideroj” sepse shumë prej tyre janë përdorur gjithashtu për videoklipe apo reklama të cilat unë kam realizuar).
Jam porositëse dhe përfituese e vetëm kësaj vlere dhe e asnjë vlere tjetër, që nuk e di pse dhe si është bashkuar, por që nuk ka asnjë lidhje me shpenzime të bëra nga unë apo të përfituara prej meje.
Këtë fakt të argumentuar me tabela financiare dhe të noterizuar me firmat e ekspertëve, do ta dorëzoj edhe pranë GJKKO dhe SPAK, me besim se e vërteta e varrosur nën malin me gurët e shpifjeve dhe fantazive do të dalë në fund.
Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë. Madje me këtë rast dua të them se ka qenë një përballje tejet e trishtueshme prej më shumë se nëntë orësh me prokurorin, ku kuptova se me jetën time ishte bërë një çorbë e madhe. Por s’ka krahasim me asgjë trishtimi i hidhur që të jep niveli i rrugës i disa portaleve e gazetare/ëve, që merren me fustanet apo nën fustanet e një gruaje, duke e fryrë dhjetëfish vlerën e tyre, për të diskredituar armikun si në kohën e komunizmit…
Nuk kam ndier kurrë një trishtim e dëshpërim kaq të madh. Tmerr.
Mos e provoftë askush, askujt në këtë vend nuk ia uroj, këtë mizori juridike dhe mediatike.
Zoti e faltë mosnjerzillëkun e gjithë kësaj historie dhune.