
Teksa termi “bridezilla”, që përdoret për të përshkruar një nuse shumë kërkuese apo “tiranike” gjatë organizimit të dasmës, po bëhet gjithnjë e më popullor në internet, gjithnjë e më shumë histori të çuditshme po dalin në dritë. Një prej tyre është është kjo që do lexoni në vijim.
Historia u publikua nga motra e një nuseje në një diskutim në Reddit. Ajo tregoi se fillimisht ishte shumë e lumtur për lajmin e dasmës së motrës së saj dhe madje e konsideronte dhëndrin e ardhshëm “një njeri shumë të mirë”.

Megjithatë, situata ndryshoi kur nusja filloi të vendoste disa rregulla të rrepta për shoqërueset e saj.

Sipas saj, disa nga kushtet ishin të kuptueshme, si për shembull që shoqërueset të vishnin mëngë të gjata nëse kishin tatuazhe. Por një nga rregullat i dukej shumë i çuditshëm, pasi nusja kërkonte që të gjitha gratë në ceremoni të kishin flokë të paktën tre centimetra më të shkurtër se të sajat.
Problemi ishte se flokët e nuses arrinin deri në bel, ndërsa motra e saj i kishte edhe më të gjatë dhe i konsideronte një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit të saj.
Ajo tregoi se i kishte propozuar motrës t’i mbante flokët e kapura gjatë ceremonisë, por kjo nuk u pranua. Nusja nuk donte që dikush tjetër t’i kishte flokët e lëshuar ndërkohë që të sajat do të ishin të kapura. Si zgjidhje tjetër, motra sugjeroi që të merrte pjesë vetëm në banket dhe jo në ceremoninë e betimit, por kjo e zemëroi edhe më shumë nusen.

Madje në debat ndërhyri edhe dhëndri i ardhshëm, i cili u përpoq ta bindte të priste flokët. Por ajo refuzoi, duke thënë se nuk ishte e drejtë, pasi i ishin dashur vite për t’i rritur dhe e gjithë “sakrifica” s’mund të hidhej poshtë për vetëm një natë. Në fund, vendosi të mos ishte më shoqëruese e nuses dhe të merrte pjesë në dasmë thjesht si e ftuar.
Tradicionalisht, nusja mund të vendosë disa rregulla për pamjen e shoqërueseve të saj, por shpesh kufiri mes asaj që është e arsyeshme dhe asaj që është e tepruar bëhet i paqartë. Fundja, një dasmë duhet të jetë një moment për t’u ndarë me njerëzit më të rëndësishëm në jetën tonë.
Siç thotë edhe një organizator eventesh:
“Qëllimi i një dasme është ta festoni me njerëzit që doni më shumë. Nëse kriteri kryesor për zgjedhjen e shoqërueseve është vetëm pamja, ndoshta është momenti të ndaloni dhe ta mendoni edhe një herë si vendim.”
Burimi: Marie Claire
Përktheu e përshtati Anabel.al