
Ledian Agallijaj duket se u përpoq t'i shuajë aludimet për një ndarje mes tij dhe Elhaidës. Në një story për Instagram, balerini postoi një video të Elhaidës duke perfomuar dje mbrëmë në skenën e Festivalit të Këngës, shoqëruar me etiketimin e Elhaidës dhe një emoji diamanti.
Megjithatë, edhe në një story të gazetarit Andi Vrapi, dyshja janë bashkë në prapaskenë. Por, meqë djalli fshihet në detaje, Elhaida vazhdon të mos e ndjekë Ledianin në Instagram dhe as nuk e ka ripostuar videon që ai hodhi teksa ajo performonte (ndërkohë që ka ripostuar çdo etiketim tjetër).
Përsërisim se mund të jetë thjesht një incident, ama dyshojmë se në kohën që jetojmë nuk të bien incidente të tilla në vesh. Nga ana tjetër, ky mund të jetë dhe një truk për të marrë vëmendjen gjatë një ngjarjeje me rëndësi si Festivali i Këngës.
Cilado qoftë, e ftuar në "The Dalina Show" me Dalina Buzin, në Andale Media, Elhaida rrëfeu më shumë për historinë e dashurisë me Ledianin, e cila nisi 3 vite më parë gjatë "Dancing With the Stars", duke pranuar se lidhja e tyre kishte kaluar vështirësitë e veta.
"Sa herë e shoh, ndonjëherë bëhem egoiste, duke menduar 'unë bëj skenat, bëj këtë, bëj atë, ti çfarë bën?' dhe kemi zëniet tona si çdo çift... po sa herë e shoh, ai hyn në të njëjtën dhomë që jam unë dhe i ndrijnë sytë akoma pas tre vitesh, më bën të kuptoj që është shumë e thjeshtë, është më e thjeshtë se ç'mendojmë," tregoi sinqerisht Elhaida duke u përlotur.
Më tej në bisedë, këngëtarja tregoi se është e vështirë të mbash dhe një karrierë që e do fort, dhe një lidhje me një partner:
"Nuk e mohoj që viti i fundit ka qenë shumë i vështirë për të dy ne. Ai ka impenjimet e tij këtu në Tiranë, unë kam kontrata që s'i ndaloj dot, i kam firmosur me vite. Kam kontrata deri në fund të 2027-ës. Nëse duam të krijomë familje, nëse duam të krijojmë diçka më stabël, është shumë e vështirë."
Së fundmi Elhaida bëri publik lajmin se do të jetë pjesë e musical-it "Note Dame de Paris" në Itali, turne që do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027. Duke marrë shkas nga deklarata e mësipërme e saj, lihet për t'u kuptuar se çfarëdo që mund të jetë duke ndodhur mes tyre, me siguri mund të ketë të bëjë me axhendat e ngarkuara dhe fokuset e ndryshme që dyshja kanë.




