
Pas një dimri që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë, pranvera më në fund ka ardhur dhe bashkë me të edhe dëshira për të rifreskuar garderobën.

Edhe pse xhinset dhe pantallonat prej linoje mbeten baza të padiskutueshme të stilit të përditshëm, sezoni i pranverës 2026 po sjell në fokus modele më elegante dhe të rafinuara pantallonash që mund të kombinohen lehtësisht me bluza, kanotiere apo t-shirt.

Një nga trendet që po tërheq vëmendjen e stilistëve dhe adhuruesve të modës janë të ashtuquajturat “balloon trousers”.

Në pamje të parë, emri mund të tingëllojë paksa intimidues për ata që preferojnë një stil minimalist dhe të pastër.

Megjithatë, versioni i pranverës 2026 është shumë më i bukur dhe elegant sesa ato të viteve ’80.

Pantallonat “balloon” këtë sezon vijnë në materiale të lehta, me volum dhe në nuanca neutrale, duke krijuar një siluetë romantike dhe moderne.

Trendin e ka përqafuar edhe supermodelja Karlie Kloss, e cila u pa në rrugët e SoHo në Nju Jork e veshur me një bluzë të bardhë me pala dhe pantallona “balloon” në ngjyrë blu të errët. Duke i kombinuar me taka klasike të zeza, një pallto të bardhë dhe syze minimaliste, ajo tregoi se sa lehtë këto pantallona mund t’i japin karakter edhe një veshjeje shumë të thjeshtë pranverore.

Jo vetëm në pasarelë apo tek personazhet e njohur, por edhe në Instagram, shumë influencere po i zgjedhin këto pantallona si pjesë të garderobës së tyre.

Falë formës së veçantë dhe elegancës që ofrojnë, “balloon trousers” pritet të jenë një alternativë perfekte ndaj xhinseve apo pantallonave prej linoje, sidomos për evente më formale gjatë sezonit të ngrohtë.

