
Shembujt e Melinda French Gates, MacKenzie Scott dhe shumë grave të tjera po tregojnë një realitet të ri: për një numër gjithnjë e më të madh grash në moshë të mesme, divorci nuk është fundi i një historie, por fillimi i një kapitulli të ri, dhe shpesh më i lumturi.
Sipas një ankete të realizuar nga Survation shumë gra të moshës 45–65 vjeç thonë se ndihen më të lumtura pas ndarjes. Shumë prej tyre përshkruajnë ndjenjën si “lehtësim”, “çlirim” dhe një mundësi për të qenë më në fund vetja.
Fenomeni i “divorcit të argjendtë”

Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i çifteve mbi 45 vjeç që vendosin të ndahen, një fenomen i njohur si “silver divorce”. Raste të bujshme si ndarja e Bill Gates me Melinda-n, apo divorci i Jeff Bezos nga MacKenzie Scott, e kanë bërë këtë trend edhe më të dukshëm.
Megjithatë, kjo nuk është vetëm një histori e njerëzve të famshëm. Të dhënat tregojnë se bëhet fjalë për një ndryshim të gjerë shoqëror, ku gjithnjë e më shumë gra zgjedhin të rifillojnë jetën e tyre në një fazë të re.
Një fillim i ri, jo një fund

Për shumë gra, divorci sjell një ndjenjë të re autonomie dhe lirie. Sipas studimit, 31% e të anketuarave thanë se ndihen më të lumtura pas ndarjes, duke e përshkruar atë si një “hyrje në kapitullin më të mirë të jetës”.
Disa histori personale e ilustrojnë këtë më së miri. Një grua 55-vjeçare e quajtur Pat e përshkroi divorcin si një “rilindje”, ndërsa një tjetër, Jane, 62 vjeç, tha se pas ndarjes ka zbuluar një version më të fortë dhe më të sigurt të vetes.
Burrat dhe gratë e përjetojnë ndryshe

Studimet tregojnë se burrat dhe gratë shpesh e përjetojnë divorcin në mënyra të ndryshme. Burrat kanë më shumë gjasa të përballen me ndjenja konfuzioni dhe boshllëku emocional, ndërsa gratë shpesh raportojnë ndjenja çlirimi dhe lehtësimi.
Sipas Paul Dolan, autor i librit Happy Ever After, gratë beqare dhe pa fëmijë priren të jenë më të lumtura dhe madje të jetojnë më gjatë sesa ato të martuara.
Gratë po marrin kontrollin e jetës së tyre

Ekspertët thonë se ky trend lidhet edhe me ndryshimet në mënyrën si gratë e shohin jetën dhe rolin e tyre. Sipas Sandra Davis, avokate në firmën Mishcon de Reya, gratë në moshë të mesme po marrin gjithnjë e më shumë kontroll mbi të ardhmen e tyre.
Ajo thekson se, me kalimin e viteve, shumë gra nuk janë më të gatshme të kalojnë dekada të tjera në marrëdhënie që nuk i bëjnë të lumtura.

