Në 24 orët e fundit, deri në 50 vatra zjarri janë shënuar në të gjithë Shqipërinë, prej të cilave 19–30 mbeten ende aktive, sipas autoriteteve të mbrojtjes civile.
Deri më tani, është regjistruar të paktën një viktimë, një burrë 80-vjeçar nga Gramshi që dyshohet se humbi jetën nga tymi i zjarrit duke tentuar ta shuante atë në oborrin e tij. 8 njerëz të tjerë raportohet se janë plagosur.
Për shkak të emergjencës, rreth 2,000 banorë janë evakuuar në disa fshatra, ndërsa 800 efektivë, përfshirë helikopterë dhe avionë nga Greqia, Çekia, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë angazhuar në terren.
Gjendja sipas zonave, nga lajmërimi i Ministrisë së Mrojtjes:
Poliçan dhe Berat
Një vatër aktive ndodhet pranë qytetit dhe afër Azilit të të Moshuarve në Poliçan. Banorët dhe të moshuarit u evakuuan, ndërsa flakët u përhapën në Plirëz dhe Rehovë.
Vlorë, Finiq dhe Syri i Kaltër
Flakët vazhdojnë të kërcënojnë natyrën e Syrit të Kaltër. Mjetet zjarrfikëse, avionë PZL grekë, helikopterë çekë, sllovakë dhe helikopteri Black Hawk i FA, po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll.
Gjirokastër dhe Tepelenë (fshati Turan)
Zjarri ka djegur dy stalla në Turan, me dëme minimale për bagëtinë, por rreth 100 forca operacionale po ruajnë situatën.
Tiranë (fshatrat Damjan, Isufaj, Ferraj, Zall-Herr, Selitë, mali i Bërzhitës)
Një situatë alarmante ka ndodhur 24 orët e fundit në Tiranë, me zjarre të përhapura në zona si Damjan, Isufaj e Ferraj. Në Selitë dhe malin e Bërzhitës, terreni i thepisur e bën çdo ndërhyrje të vështirë.
Dibër dhe Martanesh (mali me Gropa)
Një vatër aktive në zonë të mbrojtur, larg banesave, por me bimësi të rrallë, po shkatërrohet.
Fshati Xibër, Klos
Zjarr i izoluar, por i monitoruar nga autoritetet vendore.
Krujë, fshati Barkanesh
Një vatër zjarri aktive në terren të vështirë.
Shkodër, Pukë dhe Fushë Arrëz
Në Pukë, zjarri në hyrje të qytetit është nën kontroll, ndërsa në Fushë Arrëz (Xath) flakët kanë ndaluar ndërhyrjen tokësore për shkak të terrenit të vështirë.
Ekspertët e mjedisit dhe të emergjencave civile kanë shprehur shqetësim për mungesën e një plani të qëndrueshëm dhe të financuar për përballimin e zjarreve. Ata theksojnë se është e nevojshme një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare për të parandaluar dhe menaxhuar situata të tilla.
Po ashtu, autoritetet kanë apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe për ndihmë në identifikimin e zjarrvënësve të mundshëm.