
Të shpërngulesh nga shtëpia e familjes apo konvikti dhe të mësosh të jetosh vetëm është, në shumë mënyra, një moment “rite of passage”*. Shumica prej nesh mezi e pret atë fazë: privatësinë, qetësinë dhe luksin për të bërë çfarë të duash, kur të duash. Ka një lloj euforie në fillim: liri totale, hapësirë vetëm për ty dhe zero kompromis.
Rite of passage: një moment ose përvojë e rëndësishme që shënon kalimin nga një fazë e jetës në një tjetër.
Ama realiteti ka edhe një anë tjetër.
Jetesa vetëm nuk është më vetëm për studentët apo të moshuarit. Shifrat tregojnë se gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin (ose detyrohen) të jetojnë solo - dhe kjo tendencë vetëm sa po rritet. Por bashkë me këtë vjen edhe një sfidë: ndjenja e izolimit. Studimet tregojnë se të rinjtë që jetojnë vetëm raportojnë më shumë ankth dhe depresion.
Pra… si ia dalin disa njerëz të jenë të lumtur, pa u ndier të vetmuar?
Ja 8 mënyrat e tyre:
1. Mbajnë kontakt me njerëzit e zemrës
Duket e thjeshtë, por nuk është gjithmonë. Kur ndihesh i/e mbyllur në vetvete, edhe një mesazh mund të duket i vështirë. Megjithatë, të qëndrosh në kontakt me familjen dhe miqtë është një nga gjërat më të rëndësishme për shëndetin mendor.
Edhe nëse vetë je mirë, mos harro të kontrollosh ata që jetojnë vetëm.
2. Kufizojnë rrjetet sociale
Le ta themi troç: Instagram-i nuk të ndihmon kur ndihesh vetëm. Kur sheh të tjerët duke jetuar “jetën perfekte”, është e lehtë të ndihesh sikur po mbetesh pas. Prandaj, një “detoks” nga rrjetet sociale mund të bëjë mrekulli. Më pak scroll, më shumë fokus te jeta jote.
3. Dalin nga shtëpia (edhe kur s’e kanë me qejf)
Sado komod të jetë ambienti yt, të rrish brenda për ditë të tëra nuk është ide e mirë.
Një shëtitje, një kafe jashtë, apo thjesht një xhiro në lagje mund të bëjë diferencë. Kontakti me njerëz dhe natyrë ul stresin dhe të rikthen energjinë.
4. Praktikojnë mirënjohjen
Të jetosh vetëm ka edhe shumë anë të bukura dhe është mirë t’ia kujtosh vetes. Të flesh pa zhurmë, të dekorosh shtëpinë si të duash, të hash në orën që do. Kur fokusohesh te këto, mendimet negative fillojnë të zbehen.
5. Njihen vërtet me veten
Kur je vetëm, nuk ke ku të fshihesh dhe kjo është një gjë e mirë.
Meditimi, mbajtja e një ditari, apo edhe thjesht të ndenjurit me mendimet e tua të ndihmon të kuptosh çfarë po ndjen realisht.
Pyete veten: Çfarë më mungon? Çfarë më duhet vërtet?
6. Marrin një kafshë shtëpiake
Një qen apo mace mund të ndryshojë totalisht atmosferën.
Jo vetëm që ke shoqëri, por edhe një ndjenjë përgjegjësie dhe afeksioni. Kafshët të mësojnë empatinë dhe të japin dashuri pa kushte.
7. Krijojnë një rutinë
Jo, nuk ke nevojë ta planifikosh çdo minutë. Por një strukturë e vogël ndihmon shumë. Kur nuk ke asgjë për të bërë gjithë ditën, mendja fillon të endet në mendime negative. Pak organizim sjelll më shumë qëndrueshmëri emocionale.
8. Bëjnë vullnetarizëm
Të ndihmosh të tjerët është një nga mënyrat më të mira për të mos u ndier vetëm.
Jo vetëm që takon njerëz të rinj, por edhe ndihesh mirë me veten. Jepi kuptim kohës tënde.






