
Britney Spears është futur vullnetarisht në një qendër rehabilitimi për trajtim të abuzimit me substanca, vetëm pak javë pas arrestimit të saj për drejtim mjeti nën ndikim alkooli në Kaliforni.
Sipas një përfaqësuesi të saj, këngëtarja 44-vjeçare e ka marrë vetë vendimin për të nisur trajtimin, pas ngjarjes së 4 marsit në Ventura County. Ajo u ndalua nga policia pasi po ngiste makinën në mënyrë të rrezikshme, duke devijuar vazhdimisht nga korsitë. Autoritetet thanë se gjatë ndalimit dhe kontrollit në automjet u gjet edhe një substancë e panjohur, ndërsa dyshohej se ajo kishte konsumuar një kombinim alkooli dhe substancash të tjera.

Pas arrestimit, Spears u mbajt në paraburgim dhe u lirua mëngjesin e ditës së nesërme, sipas të dhënave të policisë së Ventura County. Rasti i saj është dërguar për shqyrtim në Prokurorinë e Qarkut Ventura dhe aktualisht është ende nën hetim. Ajo pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj.

Burime pranë saj kanë thënë se kjo situatë ka qenë një “moment zgjimi” për këngëtaren. Sipas tyre, ajo është ndier shumë e tronditur, e turpëruar dhe emocionalisht e rënduar pas arrestimit, duke shprehur keqardhje për atë që ndodhi. Po ashtu, burimet theksojnë se muajt e fundit kanë qenë të vështirë për të.
Në këtë periudhë, ajo ka marrë mbështetje nga dy djemtë e saj, Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç), me të cilët ka kaluar kohë dhe ka tentuar të qëndrojë më afër familjes.


Pas ngjarjes, Spears ka reaguar edhe në rrjetet sociale, duke postuar video dhe mesazhe ku falënderonte fansat për mbështetjen dhe theksonte rëndësinë e kohës me familjen dhe miqtë e saj. Ajo gjithashtu është parë duke kaluar kohë në aktivitete personale dhe udhëtime me miqtë e saj në javët e fundit.




