
Peter Greene, aktori amerikan i njohur për rolet e tij në filmat "Pulp Fiction", "The Mask", "The Usual Suspects" dhe "Training Day", ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare.
Ai u gjet i pajetë në apartamentin e tij në Lower East Side të New York-ut të premten, më 12 dhjetor. Lajmi u konfirmua nga menaxheri i tij, Gregg Edwards.

Sipas Edwards, autoritetet kryen një kontroll mirëqenieje pasi për më shumë se 24 orë dëgjohej muzikë nga apartamenti i aktorit. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.

“Askush nuk e luante rolin e personazhit negativ më mirë se Peter,” tha Edwards, duke shtuar se pas roleve të forta në ekran, ai kishte një anë shumë të ndjeshme dhe një zemër të madhe, që pak njerëz e njihnin.

Greene e nisi karrierën e tij televizive në vitin 1990 me serialin "Hardball", ndërsa debutimi në kinema erdhi në vitin 1992 me filmin "Laws of Gravity". Ai u bë i njohur në fillim të viteve ’90-të falë roleve të spikatura në "Clean Shaven" dhe veçanërisht në "The Mask" (1994), ku interpretoi antagonistin Dorian Tyrell përballë Jim Carrey-t dhe Cameron Diaz-it, si dhe në filmin "Pulp Fiction" të Quentin Tarantino-s.

Gjatë karrierës së tij, Greene u shqua si një aktor shumë i respektuar, me role të paharrueshme. Menaxheri i tij bëri të ditur se Greene kishte ende projekte në zhvillim.
Peter Greene la pas një motër dhe një vëlla.
