
Sarah Wilkinson, një 42-vjeçare britanike, ka zgjedhur të festojë dashurinë për veten në një mënyrë krejt të pazakontë, duke organizuar një dasmë. Eventi u zhvillua muajin e kaluar në Suffolk dhe u organizua nga një mikeshë e saj, profesioniste në organizimin e dasmave.
Ideja nuk erdhi papritur. Wilkinson tregon se gjithçka nisi kur mbushi 40 vjeç dhe vendosi t’i dhuronte vetes një unazë fejese me diamant, diçka që e kishte dëshiruar prej kohësh.
Ceremonia nuk ishte një martesë e zakontë, por për të kishte të gjithë emocionin e një dasme të vërtetë. Ajo veshi një fustan tradicional të bardhë, porositi një tortën tipike dasmash dhe madje nëna e saj e shoqëroi drejt “altarit”. Në festë morën pjesë rreth 40 të afërm dhe miq të ngushtë.
View this post on Instagram
Wilkinson shpenzoi rreth 10 mijë paund për këtë ditë, një shumë që e kishte kursyer gradualisht ndër vite.
“Edhe nëse nuk e bëj këtë me një partner, pse duhet ta humbas?”, u shpreh ajo për BBC, duke theksuar se kjo ishte një mënyrë për të festuar jetën dhe veten e saj.
Megjithatë, ajo nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të martohet edhe me një partner.
Sologamia: kur martohesh me veten

Historia e saj është pjesë e një fenomeni gjithnjë në rritje, i njohur si sologami, martesa me veten. Kjo praktikë nuk ka vlerë ligjore, por përfaqëson një akt simbolik të dashurisë për veten dhe vetëvlerësimit.
Sipas Sophie Tanner, autore e librit “Reader, I Married Me”, sologamia është kthyer në një trend global, me raste të shumta në SHBA, Evropë dhe Azi. Gratë që zgjedhin këtë rrugë shpesh e shohin si një mënyrë për të riafirmuar forcën, pavarësinë dhe rritjen personale.
Ekspertë të fushës së studimeve gjinore, si Neus Tur Bujosa, theksojnë se shoqëria shpesh i mëson burrat të vlerësojnë veten që në moshë të re, ndërsa gratë jo gjithmonë marrin të njëjtin mesazh. Për këtë arsye, akte të tilla mund të shihen si një hap drejt fuqizimit personal.
Nga ana tjetër, psikologia Esperança Bosch Fiol thekson se dashuria për veten ndihmon individët të kuptojnë më mirë marrëdhëniet dhe vendin e tyre në botë.
Megjithatë, jo të gjithë e shohin pozitivisht këtë fenomen. Kritikët e konsiderojnë sologaminë si një formë narcizmi, por për ata që e praktikojnë, ajo përfaqëson lirinë për të zgjedhur dhe për të festuar veten pa kushte.


