
Ajo mendonte se infeksionet urinare ishin thjesht çështje higjiene. Si shumë gra të tjera, provoi gjithçka që i ishte thënë: të shkonte në tualet pas marrëdhënies, të pinte lëng boronice, të merrte antibiotikë. Infeksionet kalonin përkohësisht, por gjithmonë ktheheshin.
Kjo është përvoja që rrëfen autorja Mel Robbins, një histori që shumë gra do ta gjejnë veten. Melanie Lee Robbins është shkrimtare, moderatore podkasti dhe juriste amerikane, e njohur për fjalimin e saj në TEDx “How to Stop Screwing Yourself Over” (Si të mos ia vështirësosh më jetën vetes), si dhe për librat “The 5 Second Rule”, “The High 5 Habit” dhe “The Let Them Theory”.
Deri në momentin që kuptoi se problemi nuk ishte aty ku kishte menduar gjithë jetën. Në fakt, një nga arsyet më të zakonshme që lidhet me infeksionet urinare tek gratë nuk përmendet pothuajse kurrë: ndryshimet hormonale.
Sipas ekspertes së shëndetit seksual dhe urologes Rachel Rubin, hormonet ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin vaginal gjatë gjithë jetës, jo vetëm gjatë menopauzës, por edhe gjatë pubertetit, ciklit menstrual, shtatzënisë apo periudhës së gjidhënies.
Kur nivelet hormonale ndryshojnë, ato mund të shkaktojnë:
- thatësinë vaginale
- irritimin
- ndryshimet në mikrobiomën vaginale
- rritjen e baktereve të dëmshme
Këto ndryshime krijojnë një terren më të favorshëm për infeksione, të cilat më pas mund të kalojnë në traktin urinar. Madje, një grup simptomash që lidhen me këto ndryshime ka një emër konkret: sindroma genitourinare e menopauzës (GSM). Edhe pse emri lidhet me menopauzën, ekspertët theksojnë se mund të shfaqet në çdo fazë të jetës kur ka çrregullim hormonesh.
Simptomat më të zakonshme:
- ndjesia e shpeshtë për të urinuar
- nevoja për të shkuar në tualet
- dhimbje në zonën pelvike
- infeksione urinare të përsëritura
Ekziston një trajtim i thjeshtë, i sigurt dhe relativisht i lirë që mund të reduktojë ndjeshëm këto probleme. Bëhet fjalë për estrogjenin vaginal.
Sipas ekspertëve, përdorimi lokal i estrogjenit (në formë kremi, tablete etj.) në doza të ulëta mund të ulë rrezikun e infeksioneve urinare me më shumë se 50%, ndërkohë që ndihmon edhe në përmirësimin e simptomave të tjera.
Dhe megjithatë, shumica e grave nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë opsion. Arsyeja? Për vite me radhë, keqinformimi rreth terapive hormonale ka bërë që edhe vetë mjekët të jenë më të rezervuar në rekomandimin e tyre, edhe kur bëhet fjalë për forma lokale dhe të sigurta si kjo.
Organizata mjekësore dhe udhëzime të reja po e rikthejnë këtë trajtim në vëmendje, duke e konsideruar një nga mënyrat më efektive për të parandaluar dhe kuruar këto probleme. Aktualisht ju nevojitet një recetë nga mjeku për të marrë krem me estrogjen, mirëpo Dr. Rubin thotë se ai duhet të jetë i disponueshëm pa recetë.
Burimi: Women's Health


