
Një ndarje nuk ndodh gjithmonë me drama, debate apo një “lamtumirë” përfundimtare. Ndonjëherë, marrëdhëniet përfundojnë në heshtje, duke humbur gradualisht pasionin, afërsinë dhe energjinë që dikur i mbante gjallë. Dhe shpesh, kjo formë “shpërbërjeje” mund të jetë po aq e dhimbshme sa një ndarje e drejtpërdrejtë.
Mund të ndieni se partneri juaj po largohet emocionalisht, se bisedat janë bërë të rralla apo se mesazhet nuk kanë më të njëjtin entuziazëm si në fillim. Në këto raste, lind pyetja: a po evoluon marrëdhënia apo po shuhet dalëngadalë?
Sipas sociologes dhe ekspertes së marrëdhënieve Jess Carbino, marrëdhëniet më të shkurtra janë më të prirura të “shpërbëhen” në këtë mënyrë, pasi njerëzit kanë më pak angazhim emocional dhe praktik ndaj njëri-tjetrit.
“Nëse ke dalë vetëm disa herë me dikë ose lidhja ka vetëm pak muaj, është më e lehtë të tërhiqesh emocionalisht ose të zhdukesh nga marrëdhënia pa një fund të qartë”, shpjegon ajo.
Pse një marrëdhënie fillon të shuhet?

Shpesh, kjo ndodh kur njëri prej partnerëve nuk është i sigurt për atë që kërkon. Në vend që të largohet plotësisht, ai qëndron “në mes”, duke investuar vetëm pjesërisht në lidhje dhe duke pritur ndoshta diçka tjetër më të mirë.
Në raste të tjera, një person mund të ndihet i pakënaqur në marrëdhënie, por të ketë frikë nga një bisedë e vështirë që mund t’i japë fund asaj. Kështu, lidhja vazhdon pa pasion, vetëm nga rutina apo komoditeti.
Psikologia Laura Louis shpjegon se kjo mund të ndodhë edhe në marrëdhënie afatgjata, sidomos kur nevojat emocionale ose fizike të njërit partner neglizhohen.
“Në vend që ta përballin problemin drejtpërdrejt, disa njerëz zgjedhin të tërhiqen emocionalisht nga marrëdhënia”, thotë ajo.
Shenjat që tregojnë se marrëdhënia po shuhet:
Ndiheni më shumë si bashkëjetues sesa partnerë
Është normale që pasioni i fillimit të zbutet me kalimin e kohës. Por kur mungon përpjekja për të mbajtur gjallë lidhjen, situata bëhet ndryshe. Në marrëdhëniet e shëndetshme, edhe pas fazës së “fluturave në stomak”, partnerët vazhdojnë të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për lidhjen e tyre.
Kur kjo mungon, mund të jetë një shenjë se marrëdhënia po humbet forcën.
Kaloni gjithnjë e më pak kohë bashkë
Nëse partneri fillon të zgjedhë vazhdimisht miqtë, kolegët apo aktivitetet e tjera përpara kohës me ju, kjo mund të tregojë distancim emocional.
Sigurisht, çdo person ka nevojë për hapësirën e tij dhe për jetën sociale jashtë marrëdhënies. Problemi nis kur lidhja nuk është më prioritet.

Komunikimi është ftohur ndjeshëm
Mesazhe pa përgjigje, telefonata të rralla dhe biseda sipërfaqësore janë ndër shenjat më të zakonshme të një marrëdhënieje që po zbehet.
Ekspertët theksojnë se uljet dhe ngritjet në komunikim janë normale, por ajo që ka rëndësi është gatishmëria për të diskutuar problemet dhe për të rikthyer afërsinë.
A mund të shpëtohet një marrëdhënie që po shuhet?

Sipas këshilltarëve të marrëdhënieve, përgjigjja është po, por vetëm nëse të dy partnerët e duan realisht këtë.
Hapi i parë është të jeni të sinqertë me veten: çfarë kërkoni nga kjo marrëdhënie dhe a po i plotëson ajo nevojat tuaja emocionale?
Kur partnerët komunikojnë hapur dhe përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin, shumë probleme mund të zgjidhen para se marrëdhënia të arrijë në pikën e “shuarjes”.
