
Ka raste kur moti duket perfekt nga dritarja, por sapo del jashtë kupton që është bërë ftohtë në mënyrën më mashtruese të mundshme. Pikërisht për këtë arsye pardesyja klasike e hollë vazhdon të mbetet një nga shpëtimet më praktike të pranverës dhe Kaia Gerber sapo dha një tjetër shembull se si vishet në mënyrën më minimaliste dhe elegante të mundshme.

Modelja u fotografua në rrugët e Manhattan-it me një kombinim që duket shumë i thjeshtë në pamje të parë, por funksionon perfekt për përditshmërinë. Në qendër të look-ut ishte pardesyja klasike ngjyrë bezhë, me prerje të strukturuar, jakë të buta dhe detaje elegante në supe. Një model tipik pranveror që praktikisht nuk del kurrë nga moda.
Pjesa tjetër e kombinimit ndiqte të njëjtën estetikë të pastër dhe pa shumë përpjekje:
një këmishë klasike me kopsa,

xhinse të drejta,

balerina elegante,

dhe një çantë krahu ikonike.

Rezultati? Një veshje që duket e kuruar, por jo e sforcuar.

Ajo që e bën këtë formulë kaq të suksesshme është fakti që përbëhet nga elementë bazikë që pothuajse çdo person i ka në gardërobë. Nuk ka ngjyra të ekzagjeruara, prerje të komplikuara apo kombinime “të vështira”. Gjithçka funksionon sepse pjesët janë klasike dhe të balancuara.





Pak javë më parë, Kaia Gerber u pa me një version shumë të ngjashëm të këtij kombinimi edhe në Los Angeles. Edhe atëherë, pardesyja ishte pjesa kryesore e veshjes, këtë herë e lidhur në bel për të krijuar një siluetë më të formuar. Në vend të xhinseve dhe këmishës, modeli kishte zgjedhur pantallona klasike dhe një bluzë të thjeshtë, duke treguar se e njëjta formulë mund të funksionojë në versione të ndryshme.







Në të dyja rastet, elementi që bie më shumë në sy është thjeshtësia. Kombinime të tilla nuk kërkojnë shumë mendim në mëngjes, por japin përshtypjen e një stili të pastër, të qetë dhe shumë “të shtrenjtë” vizualisht.







