
Aksesorët janë shpesh detajet që bëjnë diferencën në një veshje. Edhe kombinimi më i thjeshtë, si një palë xhinse dhe një bluzë bazike, mund të marrë një dimension krejt tjetër falë një bizhuterie të bukur, një çante elegante apo një palë këpucësh të zgjedhura me kujdes. Pikërisht për këtë arsye, aksesorët konsiderohen një investim i zgjuar në garderobë, pasi kanë aftësinë të rifreskojnë stilin dhe të transformojnë pamjen pa qenë nevoja të ndryshohet e gjithë veshja.
Këtë sezon, disa trende të veçanta po dominojnë botën e modës.

Syzet e diellit me kornizë ovale dhe retro janë rikthyer fuqishëm, duke sjellë referenca të stilit të viteve ’90.

Ndërkohë, çantat në nuanca rozë të buta i japin një prekje lozonjare edhe veshjeve më klasike.
Një tjetër trend i rëndësishëm janë këpucët me “kitten heels”, takat e vogla elegante që ofrojnë stil dhe rehati njëkohësisht, duke u përshtatur lehtësisht nga mëngjesi në mbrëmje.

Në botën e aksesorëve, krijimtaria dhe imagjinata zënë gjithashtu një rol të madh. Një mënyrë interesante për të rifreskuar garderobën është kombinimi i aksesorëve që tashmë i kemi, për shembull, një shall mund të përdoret së bashku me një gjerdan/varëse për të krijuar një efekt unik. Kjo qasje “mix & match” i jep jetë të re aksesorëve dhe lejon krijimin e kombinimeve të papritura, por shumë stil.

Po ashtu, orat elegante janë parë shpesh në Javët e Modës, duke i dhënë një prekje dinamike dhe të rafinuar çdo veshjeje.

Fundja, janë pikërisht këto detaje të vogla që kanë fuqinë të transformojnë plotësisht një stil.


