
Nëse vetëm mendimi për të rregulluar shtëpinë ju shkakton ankth, nuk jeni të vetmit. Për shumë njerëz, rrëmuja bëhet aq e madhe sa është e vështirë të dinë nga t’ia nisin. Madje, shpesh ndodh që gjatë përpjekjes për të organizuar gjithçka, përfundojnë duke krijuar edhe më shumë kaos.
Por një metodë që po pushton TikTok-un dhe rrjetet sociale premton ta bëjë të gjithë procesin shumë më të thjeshtë. Quhet “CORE 4” dhe sipas mijëra përdoruesve, ndihmon që pastrimi dhe organizimi i shtëpisë të mos duket më si një mision i pamundur.
Metoda është krijuar nga Kayleen Kelly, një profesioniste e organizimit që punon kryesisht me persona që kanë vështirësi kronike me rrëmujën apo ADHD. Ideja e saj është e thjeshtë, në vend që të përpiqeni të bëni gjithçka njëherësh, ndani procesin në katër hapa të qartë dhe fokusohuni vetëm në një dhomë në të njëjtën kohë.
Metoda CORE 4 përbëhet nga katër etapa: pastrimi, kategorizimi, eliminimi dhe organizimi.
1. Largo gjithçka që nuk i përket asaj dhome

Hapi i parë është të pastroni dhomën nga çdo send që nuk duhet të jetë aty. Sipas Kayleen, çdo objekt në shtëpi duhet të ketë vendin e vet.
Ajo sugjeron përdorimin e koshave ose kutive për çdo dhomë të shtëpisë. Në vend që të vraponi nga një dhomë në tjetrën duke sistemuar gjërat, mblidhni sendet që nuk i përkasin hapësirës ku ndodheni dhe lërini mënjanë për t’i sistemuar më vonë.
Kjo ju ndihmon të mos shpërqendroheni dhe të ruani fokusin.
2. Kategorizoni gjithçka që keni

Pasi të keni hequr sendet e panevojshme nga dhoma, është koha të shihni çfarë zotëroni realisht.
Merrni objektet dhe ndajini sipas kategorive: libra, produkte bukurie, dokumente, rroba, pajisje elektronike e kështu me radhë. Ky proces ju ndihmon të kuptoni sa gjëra keni grumbulluar dhe ku duhet të vendosen ato.
Përveçse krijon më shumë qartësi, ky hap e bën shumë më të lehtë eliminimin e sendeve të panevojshme.
3. Thuajini lamtumirë gjërave që nuk ju duhen

Kjo është faza më e vështirë për shumicën e njerëzve.
Ideja është e ngjashme me filozofinë e Marie Kondo: mbani vetëm ato gjëra që ju duhen realisht ose që ju sjellin kënaqësi.
Nëse nuk keni përdorur diçka për më shumë se një vit dhe e dini se nuk do t’ju duhet më, është koha ta hiqni nga shtëpia. Ndërsa për sendet për të cilat hezitoni gjatë, Kayleen sugjeron një rregull të thjeshtë: nëse ju duhen më shumë se disa sekonda për të vendosur nëse do ta mbani apo jo, ndoshta nuk ju duhet fare.
4. Organizoni dhe vendosni gjithçka në vendin e vet

Pasi të keni eliminuar rrëmujën, mbetet vetëm organizimi.
Vendosni çdo kategori në hapësirën e saj dhe përpiquni të ruani ndarjen mes sendeve. Kjo jo vetëm e bën shtëpinë të duket më e rregullt, por ju ndihmon të gjeni më shpejt gjithçka që kërkoni në përditshmëri.
Sekreti i metodës CORE 4 është se nuk ju lejon të mbingarkoheni. Në vend që të mendoni për të gjithë shtëpinë njëherësh, fokusoheni vetëm në një hap dhe në një dhomë. Dhe pikërisht kjo e bën procesin shumë më të menaxhueshëm.
Në fund, jo vetëm që fitoni një shtëpi më të pastër dhe më funksionale, por edhe një ndjesi qetësie mendore që shpesh mungon mes rrëmujës.
