
Shumë njerëz e imagjinojnë forcën mendore si një lloj “superfuqie” emocionale, aftësinë për të qëndruar gjithmonë të fortë, të qetë dhe të pathyeshëm përballë stresit. Por psikologët thonë se kjo ide është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme.
Në realitet, forca psikologjike nuk ka të bëjë me mungesën e dhimbjes, ankthit apo lodhjes emocionale. Ajo lidhet me mënyrën si reagojmë ndaj tyre dhe si vazhdojmë përpara edhe kur gjërat bëhen të vështira.
Madje, sipas studimeve, dy nga shenjat më të forta të kësaj aftësie duken krejtësisht ndryshe nga sa e imagjinojmë zakonisht.
1. Njerëzit e fortë mendërisht vazhdojnë të ecin përpara, edhe kur nuk kanë fare dëshirë

Një nga keqkuptimet më të mëdha është ideja se forca mendore të mbron nga mbingarkesa emocionale. Në fakt, asgjë nuk na bën imunë ndaj stresit.
Psikologët e përkufizojnë këtë aftësi si mënyrën për t’u përshtatur dhe për të vazhduar funksionimin edhe përballë traumave, vështirësive apo periudhave të forta stresi. Kjo do të thotë se një person i fortë mendërisht mund të ndihet i lodhur, i frikësuar apo emocionalisht i rraskapitur, por përsëri vazhdon të funksionojë.
Një studim i njohur i vitit 2009, që analizoi reagimin e banorëve të New York-ut pas sulmeve të 11 shtatorit dhe të qytetarëve meksikanë pas përmbytjeve të vitit 1999, tregoi se shumë nga personat që konsideroheshin të fortë psikologjikisht përjetonin ende nivele të larta stresi dhe dhimbjeje emocionale.
Ajo që i dallonte nuk ishte mungesa e vuajtjes, por fakti që arrinin gradualisht të riktheheshin në normalitet dhe të vazhdonin jetën.
Kjo do të thotë se mund të ndiheni sikur mezi po e mbani veten, por sërish shkoni në punë, kujdeseni për njerëzit që doni apo kryeni detyrat minimale të ditës. Edhe ngritja nga krevati në ditët më të vështira mund të jetë një shenjë force psikologjike.
Sipas një studimi të vitit 2023 në Journal of Youth and Adolescence, njerëzit që e shohin stresin si diçka të menaxhueshme, kanë tendencë të përballen më mirë me vështirësitë dhe të rikuperohen më shpejt me kalimin e kohës.
2. Njerëzit e fortë mendërisht dyshojnë shpesh te vetja

Në pamje të parë, vetëdyshimi duket si e kundërta e forcës mendore. Por psikologjia moderne sugjeron të kundërtën.
Aftësia për të reflektuar mbi mendimet, emocionet dhe sjelljen tonë konsiderohet një pjesë kyçe e funksionimit të shëndetshëm psikologjik. Ky proces quhet “metakognicion”, aftësia për të menduar mbi mënyrën si mendojmë.
Një studim i vitit 2025 në Journal of Human Behavior in the Social Environment zbuloi se njerëzit që reflektojnë mbi sjelljen dhe reagimet e tyre kanë më shumë aftësi për t’u përshtatur dhe për t’u rikuperuar nga vështirësitë.
Kjo ndodh sepse vetëreflektimi i ndihmon të mësojnë nga përvojat, të korrigjojnë sjelljet dhe të marrin vendime më të mira me kalimin e kohës.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë të bini në kurthin e mendimeve negative apo analizës së tepërt. Ka një ndryshim të madh mes reflektimit të shëndetshëm dhe mbivendosjes mendore që ju bllokon emocionalisht.
Pra, forca mendore nuk duket gjithmonë si vetëbesim absolut apo qetësi e pandryshueshme. Ndonjëherë ajo duket si një person i lodhur, i pasigurt dhe emocionalisht i rraskapitur, por që zgjedh të vazhdojë përpara gjithsesi.


