
Ka disa gjëra që i shpallim demode shumë shpejt. Ngjyra, stile, trende që një vit duken kudo dhe vitin tjetër askush nuk do t’i përmendë më.
Roza e lehtë dhe grija janë ndoshta shembulli më i mirë. Për vite me radhë ishin kombinimi i çdo shtëpie moderne, derisa erdhën tonet më të ngrohta, kafeja çokollatë, bezha dhe gjithçka që dukej pak më minimaliste.
Papritur, roza dhe gri u etiketuan si “millennial”, që në gjuhën e internetit do të thotë: pak të vjetra. Por shtëpia e ndenjes e Kylie Jenner e sfidon këtë ide.
Në pamje të parë, hapësira e saj është minimaliste dhe e qetë: mure të bardha, linja të pastra, dritë e bollshme. Por nëse e sheh më me vëmendje, aty janë grija dhe roza, si detaje që e mbajnë gjithë ambientin bashkë.
View this post on Instagram
Në vend që të dominojnë hapësirën, këto ngjyra janë përdorur me masë. Një pupë gri këtu, një nuancë rozë aty, tekstura të buta, forma të rrumbullakosura. Rezultati është një ambient që duket i menduar, por jo i lodhshëm.
Ekspertët e shpjegojnë shpesh këtë me një rregull të thjeshtë: nuk ka ngjyra “të vjetra”, ka vetëm mënyra të vjetra për t’i përdorur ato. Grija, për shembull, mbetet një nga bazat më të sigurta për çdo hapësirë sepse është neutrale, qetësuese dhe krijon një sfond që i lejon elementët e tjerë të marrin vëmendjen. Nga ana tjetër, roza e zbut këtë strukturë dhe i shton një ndjesi më të ngrohtë, më personale.
Pra, sot mësuam se trendet nuk zhduken vërtet, por ripozicionohen. Thënë kjo, nëse ke ende një divan gri apo detaje rozë në shtëpi, nuk je demode siç ke menduar, thjesht ke qenë pak para kohe. :)


