
Kur Soni Malaj dhe Jonida Maliqi u përshëndetën për herë të parë tashmë si fermere të “Ferma VIP 3”, marrëdhënia e tyre u duk korrekte, pak e distancuar, po sidoqoftë një marrëdhënie normale kolegesh që nuk janë edhe shoqe. Por brenda pak ditësh, diçka nisi të dukej. Banorët vunë re se ato e shmangnin njëra-tjetrën. Dhe më pas erdhi prime-i i djeshëm, ku ajo që dukej si distancë, mori formë më të qartë.
Një debat që nuk mbeti vetëm te higjiena
Gjithçka nisi nga një përplasje mes Jonidës dhe Malborës, për higjinën. Jonida u përfshi në një debat të ashpër, ndërsa më vonë Sonit iu kërkua një mendim. Përgjigjja e saj ishte e matur, por me një nëntekst të qartë:
“Patjetër që higjiena është shumë e rëndësishme. E kemi problem të përditshëm, por ka një të vërtetë të madhe – që gjërat kanë një mënyrë për t’u thënë."
Një fjali që u lexua menjëherë si kritikë ndaj mënyrës si Jonida i ishte drejtuar Malborës. Por situata nuk u ndal aty.
Pas kësaj, Soni u përfshi në një përplasje me Sara Karajn, të cilës iu drejtua më ashpër:
“Ishte debati Jonida-Malbora, jo Jonida-Malbora-Sara. Sara, nuk ka nevojë për sufler Jonida, gjë që ti e bën gjatë gjithë kohës. Boll edhe mos qesh, sepse jeni bërë si ato në shkollë, që është gjithmonë një grup që bullizon të tjerët.”

"Ti je Soni Malaj, unë jam Jonida Maliqi"
Në vijim të diskutimit, Jonida u shpreh se gratë duhet të jenë më mbështetëse me njëra-tjetrën dhe të mos kalojnë në ofendime, fjali që e bëri Sonin të reagonte duke i thënë se dhe ajo duhet të kishte zgjedhur fjalët e duhura.
Debati mes tyre u kthye shpejt në personal.
Jonida: “Nuk kërkova fare opinionin tënd, Soni.”
Soni: “Ma kërkoi Arbana.”
Jonida: “Me thënë të drejtën, shyqyr që të dëgjova duke folur.”
Soni: “Jo [s’më ke dëgjuar të flas], se nuk zihem unë si puna jote.”
Jonida: “Si? Nuk zihesh? Po ti nuk je unë njëherë. Nuk je dot unë ti. Ti je Soni Malaj, unë Jonida Maliqi.”
Soni: “Dhe shyqyr [që s’jam] o Zot i madh. Fiks. Soni Malaj.”
Jonida: “Kështu që mos u krahaso, të lutem.”
Soni: “Unë të krahasohem me ty?! Uuu, larg qoftë!”
Jonida: “'Unë s’jam si ti,’ the. Vetë u krahasove.”
Ç’ndodhi gjatë publicitetit?
Gjatë publicitetit, Jonida u shfaq e habitur për ndërhyrjen e Sonit dhe u tha konkurrenteve të tjera me të cilat po diskutonte: “Ç’punë kishte? Si është dëgjuar zëri dhe tani foli. Dhe pikërisht tek unë, por e kalova dhe atë se filloi duke u krahasuar,” tha ajo para se regjia t’i thoshte “Jonida, rregullo mikrofonin.”
“Të rregulloj mikrofonin për çfarë? Për një situatë që ndodhi dhe s’mund ta diskutoj? Është e çuditshme, apo u kujtuan tani pas 10 ditësh kur del Jonida dhe bëhet...Po pra, le t’i shikojnë njerëzit fytyrat e vërteta të njerëzve, se si janë. Rrinë nën hije, kuvendojnë, se nga shoqet rrojnë. Nga ajo s’e prisja. Është turp, turp për atë si personazh. Duket që e ka kështu të brendshme, të thellë, të hershme. E ka me veten. Njerëzit që hidhen kot e më kot kur nuk i takon, kanë një lloj kompleksiteti të vetin, se unë nuk do hidhesha kurrë për një person tjetër. Ç'punë kam unë të merrem! Do të thotë se e ke problemin me veten, jo me mua."
Po si ka qenë marrëdhënia e tyre në të kaluarën?
Kjo është ajo që e bën situatën më interesante. Soni dhe Jonida nuk janë dy emra që po njihen tani. Përkundrazi, ato i përkasin të njëjtit brez dhe kanë ndarë skena të rëndësishme ndër vite.
Në “Kënga Magjike 2008”, ato ishin konkurrente. Jonida Maliqi u shpall fituese me këngën “Njëri nga ata”, ndërsa kënga e Sonit, “Shpirti im binjak”, fitoi “Çmimin e internetit”.
Dhe megjithatë, deri në vitin 2020, raporti mes tyre dukej i mirë. Soni ishte e ftuar në emisionin e Jonidës, “Jonida’s Room” në Vizion Plus. Ato ndanë kujtime të së kalurës dhe Soni u shpreh se Jonida e kishte ndihmuar të krijonte veshjen me të cilën do të performonte në "Kënga Magjike 2008".

Po çfarë mund të ketë ndryshuar?
Një nga pistat që qarkullon është ajo që lidhet me Flori Mumajesi.
Gati 2 dekada më parë, Soni Malaj ka pasur një marrëdhënie me Mumajesin. Pasi marrëdhënia e tyre përfundoi, ata mbetën miq. Në 2019-n, Jonida Maliqi u përfol për një romancë më të shkurtër me Florin, e cila tërhoqi vëmendjen pasi u publikua një video e tyre në Paris e cila ishte bërë një vit më parë. Kur u pblikua videoja, Jonida ishte në një raport me Romeo Veshajn.

Këto janë histori që kanë ndodhur në kohë të ndryshme dhe nuk ka asnjë konfirmim që ato lidhen drejtpërdrejt me situatën aktuale. Në raste të tilla, perceptimi publik shpesh ndërton lidhje që nuk janë domosdoshmërisht të vërteta.

A ishte Eurovision 2019 shkaku?
Një tjetër moment që mund të ketë lënë gjurmë është “Festival i Këngës 2018”, ku Jonida fitoi dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision 2019, ndërsa Soni u rendit në vendin e pestë. Megjithatë, reagimi i Sonit në atë kohë ishte publikisht mbështetës.
"U riktheva në një garë duke besuar, dashuruar e punuar fort për një këngë, me të cilën besoj edhe nga mbeshtetja juaj, do ta kemi refren gjatë së bashku! Në çdo rrugëtim, unë kam nxjerrë mësimet e mia...Të këtij dhjetori i kam në zemër! Urime kolegëve me të cilët ndamë skenën, Jonidës mbarësi në Izrael!"

Pra...?
Çfarë u pa në “Ferma VIP” nuk duket si një debat i rastësishëm. Duket më shumë si një raport që ka qenë i qetë në sipërfaqe, por jo domosdoshmërisht i tillë në thelb. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo ishte thjesht një situatë e momentit apo një dinamikë që do të vazhdojë.