
Pas një periudhe të gjatë pa një album të ri, Alban Skënderaj po rikthehet me një projekt që, nga mënyra si e ka prezantuar, duket më shumë se thjesht muzikë.
Që në fillim të prillit, përmes një videoje, Albani foli për një ide që e përshkon gjithë albumin: ato gjëra që mbeten brenda nesh për vite, pa bërë zë, dhe që në një moment vendosin të dalin në sipërfaqe. Kujtime, tinguj, ndjesi që mund të duken të harruara, por që në fakt thjesht presin momentin e duhur për t’u rikthyer.
"Unë jam larguar në një moshë shumë të re dhe nuk pata mundesinë të njihem thellësisht me muzikën tonë, por gjurmët e motiveve tona, sadopak, pa vetëdije, lanë shenja edhe tek unë. Njeriu mund të jetojë kudo në botë, mund të dashurojë shumë vende, shumë kultura, shumë tinguj, por ka disa gjëra që flenë në shpirt dhe ato, herët a vonë, të thërrasin."
Edhe pse është rritur larg Shqipërisë, ai pranon se lidhja me muzikën dhe motivet shqiptare ka qenë gjithmonë aty, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. “Në fund të fundit, të gjithë kthehemi diku,” thotë ai. "Edhe unë, këtë herë, me këtë album, jam kthyer në shtëpi."
Albumi mban titullin “Rrënjët” dhe do të publikohet më 2 maj. Do të përmbajë 8 këngë dhe 8 videoklipe, që sipas vetë artistit janë “8 ngjyra të ndryshme, por që bashkë formojnë një ylber të vetëm”. Pra, jo një listë këngësh të ndara, por një projekt që funksionon si një i tërë.
View this post on Instagram
Edhe kopertina e albumit e përforcon këtë ide. Në të, Albani i sotëm vështron Albanin e vogël, një imazh i thjeshtë, por që thotë shumë për konceptin e projektit.
Në një tjetër postim, ai e përshkruan albumin si një nga punët më autentike që ka sjellë deri tani dhe fton publikun t’i besojë këtij procesi.
"Për të qenë më i përmbledhur, mund t’ju them se, nëse vërtet keni 'besim artistik' tek unë, atëherë ju siguroj se ky është një nga projektet më të bukura dhe autentike që kam sjellë tek ju deri më sot."
Madje, një nga detajet më interesante është fakti që këto këngë janë krijuar gjatë një periudhe shumë të ngarkuar për të, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Dhe ndoshta kjo i ka dhënë projektit atë ndjesinë më të papërpunuar dhe të sinqertë.
"Kam dalë në përfundimin se energjia dhe dashuria që me kanë trasmetuar njerëzit gjatë tour-it 'MOTIV' më ka frymëzuar këtë herë të jem sërish si dikur, totalisht vetvetja, i pandikuar, duke u kthyer tek ndjesitë dhe instinktet e mia."
“Rrënjët” nuk po prezantohet si një album që thjesht dëgjohet, por si një përvojë që, sipas Albanit, ka për qëllim të të bëjë të ndalosh pak, të rikthehesh te vetja dhe ndoshta të rigjesh diçka që e kishe lënë diku pas.
"Bëhuni gati të frymëzoheni, të ringjallni kujtime të humbura dhe, mbi të gjitha, të ridashuroheni jo vetëm me dikë, por me veten, me botën, me jetën!"
