
Bagazhet e humbura nuk janë më kaosi që kanë qenë dikur. Me teknologjinë moderne, etiketat inteligjente dhe sistemet e gjurmimit, sot mbi 99.9% e valixheve të regjistruara arrijnë të rikthehen te pronarët e tyre. Megjithatë, ajo përqindje e vogël që mbetet vazhdon të fshehë histori dhe objekte të çuditshme.
Sipas raportit të fundit të kompanisë amerikane “Unclaimed Baggage”, e cila merret me bagazhet “pa pronar” pas muajsh kërkimesh nga linjat ajrore, lista e sendeve të humbura këtë vit është më e pazakontë se kurrë.
Mes objekteve të gjetura janë një robot industrial, një gju bionik, dhëmbë prej ari dhe diamanti, shpata samurai, shkopinj golfi të veshur me ar, një uniformë bletarie dhe një instrument tradicional australian prej druri. Në valixhe të tjera janë gjetur edhe sende krejt absurde, si një patë gjigante prej pellushi, konserva sardelesh apo helm për minjtë.

Ajo që habit më shumë nuk janë vetëm objektet, por fakti që dikush i ka marrë me vete në aeroport dhe më pas nuk i ka kërkuar më kurrë.
Lista përfshin edhe sende me vlerë marramendëse. Ndër më të shtrenjtat janë një palë vathë diamanti me vlerë mbi 43 mijë dollarë, një orë Rolex prej ari me diamante që vlerësohet rreth 35 mijë dollarë dhe një klarinetë profesionale me vlerë afro 18 mijë dollarë.

Kompania që merret me këto bagazhe ka krijuar madje edhe një muze në Alabama, ku ekspozohen disa nga gjetjet më të rralla ndër vite. Vizitorët mund të shohin një violinë të vitit 1772, bizhuteri vintage Hermès dhe madje një top basketbolli të firmosur nga Michael Jordan.
Mes objekteve historike janë gjetur edhe sende nostalgjike si një letër drejtuar Marilyn Monroe, një kukull Ken nga vitet ’60 dhe telefona antikë të fillimit të shekullit të kaluar.

Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre objekteve të rralla, sendi më i zakonshëm i humbur këtë vit rezultuan të ishin bluzat për meshkuj. Sipas raportit, mbi 200 mijë të tilla mbetën pa pronar.
Ekspertët thonë se, edhe pse teknologjia ka përmirësuar ndjeshëm sistemin e gjurmimit të bagazheve, faktorët njerëzorë si nxitimi, pakujdesia apo gabimet e minutës së fundit vazhdojnë të luajnë rol.

Për të shmangur humbjen e valixheve, rekomandohet vendosja e etiketave të qarta brenda dhe jashtë bagazhit, përdorimi i valixheve që dallohen lehtësisht dhe pajisja me sisteme inteligjente gjurmimi.

