
Ka disa “shenja tradhtie” që janë bërë pothuajse klishe: telefoni i kthyer me ekran poshtë, mesazhet në orët e vona, “kam shumë punë sonte”, parfum i ri papritu. Por sipas një detektiveje private australiane, ekziston edhe një detaj shumë më i çuditshëm që ajo thotë se e ka vënë re vazhdimisht tek meshkujt jobesnikë: makina e tyre bëhet papritur tepër e pastër.
Cassie Crofts, e cila drejton agjencinë “Venus Investigations” dhe merret me raste tradhtie, tha se një nga gjërat që i ka rënë më shpesh në sy gjatë viteve është fakti që shumë meshkuj që nisin një lidhje paralele fillojnë të kujdesen jashtëzakonisht shumë për makinën.

“Nuk është diçka që e shpika vetë,” tha ajo në një video në TikTok. “Ma tha dikur një mentor dhe, që prej asaj kohe, nuk munda të mos e vija re në shumë raste.”
Sipas saj, bëhet fjalë për meshkuj që zakonisht nuk kanë ndonjë raport të veçantë me pastërtinë e makinës, por që papritur fillojnë ta lajnë vazhdimisht, ta çojnë për pastrim profesional apo ta mbajnë në gjendje perfekte.
"Janë burra që shkojnë dhe e pastrojnë makinën e tyre, e lajnë, kur në përgjithësi nuk e bëjnë këtë.
Në komente, shumë njerëz thanë se e kishin përjetuar vetë diçka të ngjashme. “Ish-i im (e bënte këtë) dhe sa herë që dilja nga makina, ai sigurohej që unë të nxirrja çdo send tim - syze dielli, kapelë dhe shishe me ujë - gjithçka," tha një vajzë. “Atëherë nuk e kuptoja pse, por instinkti më thoshte diçka."

Një tjetër tregoi se kishte gjetur një rimel në makinën e ish-bashkëshortit të saj në fillim të lidhjes së tyre, ndërsa më vonë kuptoi se ai e pastronte makinën vazhdimisht “që të mos mbetej asnjë gjurmë”.
Sigurisht, një makinë e pastër nuk do të thotë automatikisht tradhti. Por nëse dikush ndryshon papritur sjellje dhe fillon të fiksohet pas detajeve që më parë nuk u kushtonte aspak rëndësi, ndoshta ia vlen të shqyrtohet me pak më shumë kujdes. Sepse, siç thonë shpesh njerëzit që merren me këto histori çdo ditë, ndryshimet e vogla janë zakonisht ato që bien në sy të fundit.

