
Antigone Ramosaj, nëna e Beatrix dhe Alban Ramosaj, ka ndarë me ndjekësit një lajm shumë të rëndësishëm dhe emocional: ajo është shëruar plotësisht nga kanceri.
Në një postim në Instagram, ajo ka treguar se ka marrë konfirmimin që është “cancer free”, duke e quajtur këtë moment lajmin më të bukur të jetës së saj. Ajo shprehet se zemra i është mbushur me mirënjohje për familjen që i ka qëndruar pranë në çdo hap të kësaj beteje të vështirë, për fëmijët, motrën, nënën dhe gjithë të afërmit e saj.
“Zemra ime është e mbushur me mirënjohje, për fëmijët e mi, motrën, nënën dhe gjithë familjen time që më qëndruan pranë në çdo hap të rrugës. Për miqtë dhe të gjithë ju që më mbështetët, u lutët për mua dhe më ngritët kur kisha më shumë nevojë, ju falënderoj nga zemra,” shkruan ajo.
Antigone thekson se kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë, por i ka mësuar sa e çmuar është jeta. Sot, sipas saj, është dita për të festuar jetën, forcën dhe një fillim të ri.
“Ky rrugëtim nuk ishte i lehtë, por më kujtoi sa e çmuar është jeta. Sot festoj jetën, forcën dhe një fillim të ri. Përjetësisht mirënjohëse,” përfundon ajo mesazhin e saj.
View this post on Instagram
Ky lajm i mirë vjen pas një periudhe të vështirë për familjen Ramosaj, pasi më janar të këtij viti, Antigone ndau publikisht diagnozën e saj, duke treguar se po përballej me kancerin dhe sapo kishte nisur trajtimet me kimioterapi. Në atë kohë ajo shkruante se ishte në një nga betejat më të vështira të jetës së saj, por me zemër plot forcë dhe shpresë.
Gjatë kësaj periudhe, edhe fëmijët e saj, Beatrix dhe Alban Ramosaj, kanë qenë vazhdimisht pranë saj, duke ndarë momente mbështetjeje dhe dashurie për publikun, ndërsa prisnin lajmin që sot u kthye në realitet.