
Të dëgjosh partnerin, të tregosh dashuri, durim dhe mirëkuptim janë baza për një marrëdhënie të shëndetshme. Po ashtu, mbështetja në momentet e vështira dhe kalimi i kohës cilësore së bashku janë elementë që e forcojnë lidhjen. Por, përveç gjërave që duhet të bëjmë, ka edhe disa sjellje që shpesh i bëjmë pa vetëdije dhe që mund të dëmtojnë seriozisht raportin në çift.
Sipas psikoterapistes Genesis Games, ekzistojnë disa zakone që mund të “vrasin” një marrëdhënie, edhe kur qëllimi nuk është i keq.
1. Bëhesh “detektiv” në marrëdhënie

Kontrollimi i telefonit, mesazheve apo rrjeteve sociale të partnerit mund të duket si një mënyrë për të gjetur të vërtetën, por në realitet dëmton besimin. Kjo sjellje shpesh lind nga pasiguritë personale ose nga eksperienca të mëparshme. Në vend që të kërkoni “prova”, është më e shëndetshme të komunikoni hapur për atë që ju shqetëson. Nëse ndjeni nevojën për të kontrolluar partnerin, ndoshta është momenti të reflektoni nëse kjo marrëdhënie ju bën vërtet mirë.
2. Nuk jeni të sinqertë për jetën intime

Intimiteti është një pjesë e rëndësishme e një marrëdhënieje. Kur nuk jemi të sinqertë për atë që na pëlqen apo nuk na pëlqen, krijojmë distancë emocionale. Të flasësh hapur me partnerin për nevojat dhe ndjesitë është çelësi për një lidhje më të shëndetshme dhe më të kënaqshme. Heshtja ose shmangia e këtyre bisedave mund të çojë në keqkuptime dhe pakënaqësi të fshehura.
3. Ziheni para gjumit

Debatet në fund të ditës, kur jeni të lodhur dhe të stresuar, rrallë çojnë në zgjidhje të mira. Në këto momente, është më e lehtë të thuash gjëra për të cilat mund të pendohesh më vonë. Ekspertët sugjerojnë që diskutimet e rëndësishme të bëhen kur të dy jeni të qetë dhe me mendje të kthjellët. Ndonjëherë, një pauzë dhe një bisedë e shtyrë për mëngjes mund të bëjë diferencë të madhe.
Fundja, një marrëdhënie e shëndetshme nuk ndërtohet vetëm nga gjestet e bukura, por edhe nga shmangia e zakoneve që e dëmtojnë. Të jesh i vetëdijshëm për këto sjellje është hapi i parë drejt një lidhjeje më të fortë dhe më të qëndrueshme.


