
Policia në Katalonjë ka arrestuar Jonathan Andic, djalin e themeluesit të Mango-s, Isak Andic, dhe po e merr në pyetje në lidhje me vdekjen e të atit, gati një vit e gjysmë pasi miliarderi humbi jetën gjatë një ecjeje në malet pranë Barcelonës.
Isak Andic, themeluesi i një prej markave më të mëdha të modës në Europë, ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2024, pasi dyshohej se kishte rënë rreth 100 metra në një humnerë në zonën malore Montserrat, ku kishte shkuar për të bërë hiking me djalin e tij, Jonathan. Fillimisht, rasti u trajtua si një aksident tragjik.

Por sipas mediave spanjolle, hetimet morën një kthesë tjetër muaj më vonë. Gazeta El País raportoi se policia kishte gjetur “një seri dyshimesh” që i shtynë hetuesit të largoheshin nga teoria e aksidentit dhe të shqyrtonin mundësinë e një vrasjeje. Ndërsa La Vanguardia shkroi se që në shtator të vitit të kaluar, autoritetet nuk e konsideronin Jonathan-in "dëshmitar", por "person të dyshuar".
Të martën, policia konfirmoi arrestimin e tij, ndërsa familja Andic deklaroi se Jonathan po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe se ata kanë “besim të plotë në pafajësinë e tij”.
Avokati i tij, Cristóbal Martell, tha: “Hapësira e vrasjes është e pabazuar. Por mbi të gjitha, është e dhimbshme. Ajo stigmatizon një njeri të pafajshëm. Tani fillon procesi i vërtetë gjyqësor dhe e vërteta dhe pafajësia do të triumfojnë.”

Jonathan dhe dy motrat e tij zotërojnë 95% të Mango-s, ndërsa 5% e mbetur është në duart e drejtorit ekzekutiv, Toni Ruiz. Sipas Forbes, Isak Andic ishte një nga njerëzit më të pasur të Spanjës me një pasuri prej 4.5 miliardë eurosh kur vdiq në moshën 71-vjeçare.
Vdekja e tij tronditi jo vetëm Spanjën, por edhe industrinë globale të modës. I lindur në Stamboll në vitin 1953, ai u shpërngul në Katalonjë me familjen në fund të viteve ’60 dhe nisi të shiste bluza te shokët e shkollës. Nga tregjet e rrugës, ai ndërtoi Mango-n, duke hapur dyqanin e parë në vitin 1984 dhe duke e kthyer markën në një nga emrat më të njohur të modës në Europë.