
Në episodin e fundit të "The Dalina Show", Dalina Buzi kreu një bashkëbisedim me psikologen e këshillimit, Jonarda Kërkuti, të cilën me siguri e njihni nga të gjitha Seancat e Para të mëparshme në emision.
Kërkuti, themeluese e "Psikologu Online", platformës së parë profesionale në Shqipëri që ofron konsulta psikologjike online, diskutoi ndër të tjera dhe rastet kur pacientët kokëfortë refuzojnë të ndryshojnë bindjet e tyre dhe janë shumë skeptikë ndaj ndryshimit apo terapisë.
"Ndonjëherë është e nevojshme të heqim çdo gjë që na është mësuar, të rikrijohemi, për ta parë situatën ndryshe. Këta persona e kanë të vështirë të shkëputen nga modelet e mësuara dhe i marrin për të mirëqena. I marrin me vete edhe në rastet kur shkojnë jetojnë jashtë vendit.
Po atje a mund të aplikohen këto mësime, a mund të të ndihmojnë ty që të funksionosh në një ambient me njerëz ndryshe, me kulturë të re? Në shumicën e rasteve, jo. Ndaj është e nevojshme të bëjmë këto shkëputjet familjare, pa i ikur asaj që të përket."
Kjo është arsyeja e faktuar pse shumë emigrantë mbeten pas, në vendlindjen e tyre, sado kohë të jetojnë larg saj. Kërkuti e shpjegoi më tej:
"Sepse i ruajnë [bindjet, besimet, mësimet]. U duket një lloj sigurie dhe ajo, një lloj mbrojtjeje. U duket më e mirë kultura e vet sesa e të tjerëve. Dhe bëhen shumë rezistentë pët të pranuar ndryshimet. Dhe kam dëgjuar shumë që thonë se emigrantët që ikin në një vit të caktuar nga vendlindja, ngelen në atë vit. Këtë gjë e kam parë në disa raste, jo gjithmonë."
E pyetur nga Dalina Buzi nëse ka një lloj trendi të kësaj kokëfortësie më të shpeshtë te burrat apo gratë, psikologia tregoi:
"Burrat, djemtë janë më të përqendruar te gjërat të cilat iu janë mësuar. Janë detyrat ndoshta më të fuqishme që iu jepen, si mbrojtësit e familjes, mbajtësit e familjes. Këto detyra, nëse ua heqim, zhburrërohen ndoshta dhe i ruhen shumë kësaj gjëje, që t'i kenë me vete. Mund të jenë dhe arsye të tjera të cilat u shtohen, por mendoj se këto janë dy më kryesoret."
Kurse, përsa u përket "simptomave" që shihen më shpesh te pacientët shqiptarë, psikologia Kërkuti zbuloi një detaj interesant:
"Kam vënë re që te vajzat ka akoma një prirje në çështje tradicionale shumë. Nuk e di pse e dëgjoj shpesh, vajzat shqiptare që jetojnë jashtë kanë një lloj mendimi se burrat shqiptarë janë më familjarë. Nuk e di pse e dëgjoj shumë këtë dhe kur përballen me të kundërtën, aty fillon ajo trauma, që nuk qenka aq e sigurt marrëdhënia edhe me një vendas."
Ndoshta sepse jemi rritur me prindër që kanë qëndruar bashkë pavarësisht gjithë gjërave, evidentoi Dalina dhe Kërkuti mbështeti:
"Të qenit bashkë, por pa atë materialin që ju bën bashkë, është një gjë e cila krijon vetëm presion për të qëndruar, por jo për të krijuar."
Intervista e plotë: