
Këngëtarja e njohur Billie Eilish duket se mund të bëjë një hap të ri në karrierën e saj, këtë herë në botën e aktrimit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, artistja është në bisedime për të marrë rolin kryesor në pershtatjen e re filmike të romanit klasik The Bell Jar të shkrimtares Sylvia Plath.
Filmi pritet të ketë si regjisore Sarah Polley, e cila do të merret edhe me përshtatjen e skenarit për kompaninë Focus Features. Ky do të jetë projekti i saj i parë i madh filmik që nga suksesi i filmit Women Talking (2022), për të cilin Polley fitoi çmimin Oscar për Skenarin më të Mirë të Përshtatur dhe u nominua edhe për Filmin më të Mirë.
Romani klasik i Sylvia Plath
Romani The Bell Jar u botua në vitin 1963 dhe mbetet vepra e vetme letrare në formë romani e Sylvia Plath, e cila ndërroi jetë po atë vit në moshën 30-vjeçare. Libri rrëfen historinë e Esther Greenwood, një vajzë e re dhe e talentuar që fillon të përjetojë probleme serioze të shëndetit mendor ndërsa punon në një revistë në New York City.
Vepra konsiderohet një nga romanet më të rëndësishëm të letërsisë moderne, pasi trajton tema si shëndeti mendor, presionet sociale, ambicia dhe roli i grave në shoqëri.
Sipas raportimeve, Billie Eilish është në negociata për të interpretuar pikërisht personazhin kryesor, Esther Greenwood.
Përpjekje të mëparshme për film
Në vitet e fundit ka pasur disa tentativa për ta sjellë këtë roman në ekran. Emra të njohur të industrisë si Julia Stiles, Kirsten Dunst, Dakota Fanning dhe Frankie Shaw janë përmendur herë pas here me projekte të ndryshme për përshtatjen e librit, por asnjë prej tyre nuk arriti të realizohej.
View this post on Instagram
Nga muzika drejt kinemasë
Nëse projekti konkretizohet, ky do të ishte debutimi i parë i madh i Billie Eilish si aktore në film. Megjithatë, artistja ka pasur tashmë një eksperiencë të vogël në aktrim, duke u shfaqur në serialin Swarm të platformës Prime Video në vitin 2023.
Ndërkohë, ajo ka arritur suksese të mëdha në industrinë e filmit si kompozitore muzikore. Bashkë me vëllain dhe bashkëpunëtorin e saj Finneas, ajo ka fituar dy çmime Oscar për këngët e shkruara për filmat No Time to Die (2021) dhe Barbie (2023).
Fansat e artistes do ta shohin shumë shpejt edhe në një projekt tjetër në ekranin e madh. Më 8 maj pritet të dalë dokumentari muzikor 3D Billie Eilish: Hit Me Hard and Soft, realizuar në bashkëpunim me regjisorin e njohur James Cameron. Dokumentari do të tregojë procesin e krijimit të albumit të saj Hit Me Hard and Soft (2024).
Ndërkohë, suksesi i saj muzikor vazhdon. Kënga Wildflower nga i njëjti album fitoi çmimin “Kënga e Vitit” në Grammy Awards 2026, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e saj të madh në industrinë e muzikës.


