
Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara rrëzoi shumicën e pretendimeve të Blake Lively-t në padinë e saj kundër Justin Baldoni-t, ku aktorja e akuzonte regjisorin dhe aktorin për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të dramës romantike të vitit 2024, “It Ends With Us”.
Vendimi u dha nga Gjykatësi i SHBA-së, Lewis Liman, në Manhattan.
Në një vendim prej 152 faqesh të publikuar të enjten, gjykatësi hodhi poshtë 10 nga 13 pretendimet e ngritura nga Lively, duke përfshirë akuzat për ngacmim seksual dhe shpifje.
Lively ngriti padinë bazuar në ligjin e Kalifornisë, por ngjarjet e pretenduara kishin ndodhur jashtë këtij shteti. Megjithatë, gjykatësi lejoi që Lively të ndjekë pretendimin se kompania Wayfarer Studios ka zhvilluar fushatë denigruese ndaj saj.

Çështja ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut, duke përfshirë figura të njohura si këngëtarja Taylor Swift, modelja Gigi Hadid dhe aktori Hugh Jackman, të cilët sipas Lively-t mund të kenë informacion që mbështet pretendimet e saj.
Lively paditi Baldoni-n, Wayfarer dhe të tjerë në dhjetor 2024, duke kërkuar dëmshpërblim për ngacmim seksual, shpifje, shkelje të privatësisë dhe shkelje të të drejtave civile. Ajo pretendonte se të paditurit kishin krijuar një atmosferë të tensionuar gjatë xhirimeve të filmit.
Baldoni kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se nuk e kishte ngacmuar kurrë seksualisht dhe as nuk kishte zhvilluar fushatë shpifjeje.
Më shumë mbi këtë sagë gjyqësore:








