
Pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje aktorësh dhe një produksioni të mbajtur sekret, Harry, Ron dhe Hermione më në fund po rikthehen në Hogwarts. HBO publikoi sot trailerin e parë të shkurtër për serialin e ri “Harry Potter”, duke zbuluar edhe një datë premiere që nuk ishte njoftuar më parë: Krishtlindja e vitit 2026.

Pamjet paraprake për “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” – sezoni i parë i serialit, i bazuar në librin e parë nga shtatë librat e J.K. Rowling – prezantojnë tre personazhet kryesore: Harry (Dominic McLaughlin) dhe miqtë e tij Hermione Granger (Arabella Stanton) dhe Ron Weasley (Alastair Stout), 11-vjeçarët të cilët takohen në trenin për në vitin e parë të shkollës së magjisë.



Traileri dyminutësh, i prezantuar fillimisht në një event për shtyp në Londër, sjell edhe disa nga momentet ikonike të librit dhe filmit të vitit 2001 nga Chris Columbus, përfshirë takimin e parë të Harry-t me gjigantin Hagrid (Nick Frost), provën me Kapelen Përzgjedhëse dhe ndeshjen e tij të parë të Quidditch si kërkues i Gryffindor-it.



McLaughlin, Stanton dhe Stout u zgjodhën pas një kërkimi të gjerë dhe audicionesh të hapura për fëmijë britanikë nga 9 deri në 11 vjeç, për të luajtur treshen kryesore gjatë disa sezoneve, në mënyrë relativisht reale në kohë. Në kastin e aktorëve të rritur përfshihen John Lithgow si drejtori Albus Dumbledore, Janet McTeer si profesoresha Minerva McGonagall dhe Paapa Essiedu si profesori Severus Snape. Skenaristja e “Succession”, Francesca Gardiner, është “truri” pas gjithë projektit, i cili po xhirohet në mënyrë të fshehtë në studiot Leavesden në Angli që nga korriku i kaluar. Mark Mylod, i njohur nga “Game of Thrones” dhe “Succession”, drejton disa episode.


Seriali me disa linja narrative pritet të hyjë më thellë në detajet e librave të dashur sesa saga prej tetë filmash. Sipas JB Perrette nga Warner Bros. Discovery, ky projekt përfaqëson “ngjarjen më të madhe të transmetimit në historinë e HBO Max dhe ndoshta në gjithë industrinë”.
Ylli i filmave origjinalë, Daniel Radcliffe, së fundmi bëri bujë kur tha se Dominic McLaughlin mund të jetë më i përshtatshëm për rolin sesa ai vetë kur ishte 12 vjeç në vitin 2001. “Jam i sigurt që Dominic do jetë më i mirë se unë. Unë mësova gjatë rrugës,” tha ai.
Megjithatë, seriali ka shkaktuar edhe debate të forta, sidomos për zgjedhjen e Paapa Essiedu si Snape, një personazh që më parë u luajt nga aktori i bardhë Alan Rickman. Essiedu ka treguar se ka marrë edhe kërcënime me vdekje për këtë rol, por ka vendosur ta përdorë këtë reagim si motivim.
“Më kanë thënë: ‘Largohu ose do të të vrasim’,” tha ai. “Askush nuk duhet ta përjetojë këtë vetëm pse po bën punën e tij. Temat e Harry Potter-it flasin për dashurinë që triumfon mbi urrejtjen dhe për pranimin - dhe kjo është arsyeja pse po e bëj.”

Gjithashtu ka pasur kritika të vazhdueshme ndaj komenteve publike të Rowling për komunitetin transgjinor. Autorja, pasuria e së cilës nga universi “Harry Potter” vlerësohet rreth 20 miliardë paund, është producente ekzekutive e serialit. Lithgow tha se është “prekur” nga kritikat ndaj përfshirjes së saj, duke theksuar se librat e saj janë kundër intolerancës.
Kur u pyet nëse pikëpamjet e Rowling janë problem për serialin, drejtori i përmbajtjes në HBO, Casey Bloys, u përgjigj se ato janë opinione personale dhe nuk ndikojnë në përmbajtjen e serialit.
Sipas trailerit, “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” do të shfaqet në HBO Max këtë Krishtlindje, disa muaj më herët se parashikimi fillestar për vitin 2027, dhe gati 30 vite pas publikimit të librit të parë.