
Një grua që u mbajt e burgosur nga një nënë me dhjetë fëmijë, e cila e shfrytëzoi për më shumë se një çerek shekulli, në kushte që gjykata i përshkroi si “dikensiane”, ka folur për herë të parë pasi abuzuesja e saj u dënua me 13 vite burg.
Shën.red. Dikensiane - term përdoret për të përshkruar kushte shumë të varfra, çnjerëzore ose të mjerueshme, të ngjashme me ato që Charles Dickens përshkruante në romanet e tij për Anglinë e shekullit XIX (“Oliver Twist”, “David Copperfield”).
Gruaja, identifikuar me inicialin K., u shfrytëzua në mënyrë çnjerëzore nga Amanda Wixon në Teëkesbury, Angli. Ajo deklaroi:
“Për 25 vjet jetova me frikë, nën kontroll dhe abuzim. Më trajtonin sikur jeta ime, liria ime dhe zëri im nuk kishin asnjë rëndësi. Trauma dhe makthet janë diçka që i mbaj me vete çdo ditë.”

Në një deklaratë të publikuar pasi Amanda Wixon, 56 vjeç, mori dënimin, K. shtoi:
“Tani jetoj me një familje të mrekullueshme që më trajton mirë, kanë durim me mua dhe më mbështesin. Dashuria e tyre po më ndihmon ngadalë të rindërtoj jetën që më është marrë dhe të filloj të ndihem sërish e sigurt. Por asgjë nuk mund të më kthejë 25 vitet që humba.”
Gjatë viteve të skllavërisë, Amanda e rrihte vazhdimisht, i hidhte detergjent për larjen e enëve në fyt, i spërkaste zbardhues në fytyrë dhe i rruante kokën kundër dëshirës së saj. Ajo e godiste me bishtin e fshesës, duke i thyer dhëmbët, madje në një rast ia kishte futur kokën në tualet.
Viktima jetonte vetëm me mbetjet e ushqimit, nuk lejohej të dilte nga shtëpia dhe detyrohej të lahej fshehurazi gjatë natës. Ndërkohë, ndihmat sociale që i takonin asaj – në total rreth £100,000 – përfundonin në llogarinë bankare të Amanda Wixon.
Në disa mesazhe zanore të gjetura nga policia, K. përshkruante vuajtjet e saj. Në një prej tyre thoshte: “Mbrëmë kisha dhimbje të tmerrshme, po qaja...nuk kisha me kë të flisja.”
Në një tjetër mesazh shprehej: “Sa do të doja të dilja jashtë, të nxirrja Marley-n për shëtitje çdo ditë të javës...do të doja shumë ta bëja, por nuk mundem.” Në disa shënime personale, ajo kishte shkruar se ëndërronte thjesht të shihte sërish diellin.
Ajo i tha policisë se ndonjëherë fëmijët e Amanda-s i jepnin fshehurazi biskota, por nëse ajo kapej duke i ngrënë, ndëshkohej me rrahje.

K., e cila ka vështirësi në të nxënë, ishte vetëm 16 vjeç kur u transferua në shtëpinë e Amanda-s në mesin e viteve ’90. Amanda kishte lidhje të largët me familjen e saj. Fillimisht ishte menduar të qëndronte vetëm për një fundjavë, por në fakt mbeti aty deri në vitin 2021, kur policia e gjeti.
Mjekët vunë në dukje se ajo ishte e kequshqyer, ndërsa një dentist tha se kishte shumë gjasa që për vite me radhë të kishte jetuar me dhimbje të forta për shkak të infeksioneve dhe dhëmbëve të patrajtuar.
Kur oficerët e gjetën pas një denoncimi, K. kishte shenja plagësh në buzë dhe fytyrë, si dhe kallo të mëdhaja në këmbë dhe kyçe nga qëndrimi i vazhdueshëm në gjunjë duke pastruar dyshemetë.
Shtëpia ishte e mbipopulluar, me myk në mure, suva të rënë dhe mbeturina në oborrin e pasmë. Dhoma e saj u përshkrua nga policia si një qeli burgu.

Amanda Wixon u shpall fajtore për tre akuza: privim të paligjshëm të lirisë, detyrim për punë të detyruar dhe dhunë me pasoja dëmtime fizike.
Që prej shpëtimit, K. jeton me një familje kujdestare, ka filluar të ndjekë shkollën, ka nisur terapi dhe madje ka udhëtuar për pushime. Por edhe pasi u mor në kujdes, vazhdonte të ndiente detyrimin për të pastruar vazhdimisht. Ajo nuk dinte si të kalonte rrugën, si të sillej në një dyqan apo çfarë të vishte kur binte shi.
Në deklaratën e saj, tha se ende përjeton panik nga zhurmat e papritura dhe ka makthe nga koha kur Amanda Wixon shfaqej në fund të shtratit të saj.
“Kam frikë se do të më kapë dhe do të më marrë përsëri,” tha ajo.
Gjyqtari Ian Lawrie e përshkroi situatën si një histori me “ngjyrim dikensian”, duke iu referuar kushteve ekstreme dhe çnjerëzore.
Ai sugjeroi gjithashtu se viktima mund të kishte zhvilluar një formë të sindromës së Stokholmit, një fenomen ku personat e mbajtur peng krijojnë lidhje psikologjike me abuzuesin e tyre.
Sipas gjyqtarit, Amanda Wixon ishte treguar “e pashpirt” dhe nuk kishte shfaqur asnjë pendesë për veprimet makabre. Përveç dënimit me burg, ndaj saj u vendos edhe një urdhër ndalimi për të garantuar që viktima të ndihet e sigurt pas lirimit të saj në të ardhmen.
Nëna kujdestare ka kërkuar gjithashtu një hetim për mënyrën se si K. mundi të jetonte për 25 vjet në shtëpinë e Wixon pa u vënë re nga autoritetet.