
Huthët hyjnë në konflikt, rrezikohet stabiliteti në Detin e Kuq

Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë hyrë zyrtarisht në konfliktin rajonal, duke shtuar tensionet në një situatë tashmë të paqëndrueshme.
Grupi rebel njoftoi se ka lëshuar një breshëri raketash balistike drejt objektivave ushtarake izraelite, në mbështetje të aleatëve të tij në rajon. Kjo lëvizje rrezikon të destabilizojë më tej transportin detar ndërkombëtar, veçanërisht nëse Huthët vendosin të bllokojnë kalimin në Detin e Kuq.
Një skenar i tillë është parë më parë gjatë luftës në Gaza, duke shkaktuar shqetësime globale për tregtinë. Ndërkohë, rreth 2,500 marins amerikanë kanë mbërritur në rajon, duke shtuar spekulimet për një përfshirje më të drejtpërdrejtë të SHBA-së.
Miliona protestues në SHBA kundër Trump, pritet një nga mobilizimet më të mëdha në histori

Miliona qytetarë kanë dalë në rrugë në të gjithë SHBA-në për të protestuar kundër politikave të presidentit Donald Trump. Demonstratat janë shtrirë në qytete të mëdha, zona periferike dhe madje edhe në komunitete rurale.
Organizatorët bëjnë me dije se janë zhvilluar mbi 3,100 protesta në të gjithë vendin. Ata presin që numri total i pjesëmarrësve të kalojë 9 milionë, duke e bërë këtë një nga mobilizimet më të mëdha në historinë amerikane.
Protestuesit kundërshtojnë stilin e qeverisjes, politikat e ashpra të emigracionit, qëndrimet për klimën dhe luftën me Iranin. Kjo është hera e tretë brenda një viti që zhvillohen protesta të tilla në kuadër të lëvizjes “No Kings”.
22 emigrantë humbin jetën në brigjet e Greqisë, dëshmi tronditëse nga të mbijetuarit

Një tjetër tragjedi ka goditur Mesdheun, ku 22 emigrantë kanë humbur jetën në brigjet e Greqisë. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, trupat e viktimave u hodhën në det gjatë udhëtimit me urdhër të kontrabandistëve.
26 persona të tjerë arritën të mbijetojnë dhe u shpëtuan pranë ishullit të Kretës nga një anije e Agjencisë Europiane të Kufirit. Mes të shpëtuarve ndodhej një grua dhe një i mitur, të cilët u dërguan për trajtim mjekësor.
Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, ndërsa të tjerë nga Sudani i Jugut dhe Çadi. Varka kishte qëndruar në det për gjashtë ditë pasi ishte nisur nga Tobruku në Libi më 21 mars. Ky port konsiderohet si një nga pikat kryesore të nisjes për emigrantët që synojnë të arrijnë në Bashkimin Europian.
Ngjarja nxjerr edhe një herë në pah rreziqet ekstreme të migrimit të paligjshëm.
Ndërron jetë në moshën 87-vjeçare legjenda e muzikës greke, Marinella

Këngëtarja e njohur greke Marinella ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Ajo u nda nga jeta më 28 mars 2026 në banesën e saj, e rrethuar nga të afërmit.
Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate prekëse, ku familjarët shprehën dhimbjen për humbjen e saj.
Artistja pësoi një goditje në tru gjatë një performance në Athinë në vitin 2024. Që prej asaj kohe, ajo qëndroi për muaj të tërë e shtruar në spital dhe nuk arriti të rikuperohej plotësisht.
E lindur në Selanik në vitin 1938, ajo u bë një nga figurat më të rëndësishme të muzikës popullore greke. Marinella përfaqësoi Greqinë edhe në Eurovision në vitin 1974. Trashëgimia e saj artistike do të mbetet një nga më të çmuarat në historinë muzikore të vendit.