
Martin Short ka bërë një nga rrëfimet më të dhimbshme të jetës së tij, duke folur hapur për humbjen e vajzës së tij, Katherine Short, e cila humbi jetën pas një beteje të gjatë me problemet e shëndetit mendor.
Në një intervistë shumë personale për CBS News Sunday Morning, aktori e përshkroi ngjarjen si “një makth për të gjithë familjen”, ndërsa kërkoi më shumë mirëkuptim dhe më pak stigmatizim për çështjet e shëndetit mendor.
Sipas raportimeve, Katherine Short u gjet pa jetë në banesën e saj në Hollywood Hills, ndërsa mjeku ligjor konfirmoi se shkaku ishte vetëvrasja.
Aktori e krahasoi dhimbjen e humbjes së vajzës me humbjen e bashkëshortes së tij, Nancy Dolman, e cila ndërroi jetë në vitin 2010 pas një beteje me kancerin në vezore.
“Shëndeti mendor dhe kanceri janë të dyja sëmundje. Dhe ndonjëherë këto sëmundje janë terminale”, u shpreh ai.
Short tregoi se vajza e tij kishte vite që luftonte me probleme serioze të shëndetit mendor, përfshirë çrregullim të personalitetit.
“Ajo bëri më të mirën që mundi, derisa nuk mundi më”, tha aktori.
View this post on Instagram
Gjatë intervistës, ai foli edhe për nevojën që shoqëria të mos e trajtojë vetëvrasjen si tabu.
“Nuk duhet t’i fshihemi fjalës ‘vetëvrasje’. Duhet të pranojmë se mund të jetë faza e fundit e një sëmundjeje”, deklaroi ai.
Katherine Short ishte fëmija më i madh nga tre fëmijët e adoptuar të çiftit. Ajo kishte studiuar psikologji dhe sociologji dhe punonte si punonjëse sociale e certifikuar, duke mbajtur gjithmonë një profil larg vëmendjes publike.
Aktori zbuloi gjithashtu se vitet e fundit ka përjetuar disa humbje të njëpasnjëshme në rrethin e tij të afërt, gjë që e ka detyruar të krijojë, siç tha ai, “një mekanizëm mbijetese kundër pikëllimit”.
Rrëfimi i tij vjen në prag të publikimit të dokumentarit të ri të Netflix, Marty, Life Is Short, i cili do të publikohet më 12 maj dhe trajton jo vetëm karrierën e tij, por edhe momentet më të vështira personale që ka përjetuar ndër vite.