
Pas më shumë se pesë dekadash, autoritetet në Utah kanë mbyllur zyrtarisht një nga krimet më të vjetra të pazbardhura, falë avancimeve në teknologjinë e ADN-së. Viktima, 17-vjeçarja Laura Ann Aime, është identifikuar përfundimisht si një nga viktimat e Ted Bundy-t, një prej vrasësve serialë më famëkeq në historinë e Shteteve të Bashkuara.
E reja u zhduk në vitin 1974, pasi u largua nga një festë Halloween-i. Trupi i saj u gjet rreth një muaj më vonë nga alpinistë në American Fork Canyon, por për dekada me radhë, rrethanat e vdekjes së saj mbetën të paqarta.
Vetëm së fundmi, Zyra e Sherifit të Qarkut të Utahut konfirmoi se analizat e reja të ADN-së kanë vërtetuar në mënyrë të qartë praninë e materialit gjenetik të Ted Bundy në trupin e viktimës, duke i dhënë fund çdo dyshimi mbi autorësinë e krimit.

Para ekzekutimit të tij në vitin 1989 në Florida, Bundy rrëfeu se kishte vrarë Laurën, por nuk kishte dhënë detaje të mjaftueshme. Për këtë arsye, hetuesit e mbajtën çështjen të hapur për dekada, derisa të siguroheshin prova të pakundërshtueshme.
Ted Bundy ishte përgjegjës për të paktën 30 vrasje të grave të reja midis viteve 1974 dhe 1978, megjithëse dyshohet se numri real është edhe më i lartë. Ai vepronte duke fituar besimin e viktimave në vende publike, shpesh duke u shtirur si i plagosur, për t’i tërhequr më pas në zona të izoluara ku kryente krimet e tij.
Në kohën e zhdukjes së Laura Ann Aime, ai jetonte në Salt Lake City dhe studionte drejtësi.

Bundy u arrestua për herë të parë në vitin 1975 për rrëmbim dhe u dënua me 15 vite burg. Ai u arratis në vitin 1977, u kap dhe u arratis sërish vetëm tetë ditë më vonë, duke vazhduar serinë e krimeve. Arrestimi i tij përfundimtar erdhi në vitin 1978, ndërsa një dekadë më vonë u dënua me vdekje dhe u ekzekutua.
Mbyllja e këtij rasti pas 51 vitesh jo vetëm që sjell drejtësi për viktimën dhe familjen e saj, por dëshmon edhe rolin vendimtar që teknologjia moderne po luan në zgjidhjen e krimeve të vjetra, duke rikthyer të vërtetën edhe pas shumë dekadash heshtjeje.