
Disa vite më parë, varësia nga telefoni dhe rrjetet sociale ishte bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Çdo moment, nga pushimet te drekat apo festat, duhej dokumentuar. U krijua një trend i përhapur: “nëse nuk e poston, zëre se nuk ka ndodhur kurrë”. Edhe pse efektet negative të kësaj jete “gjithmonë online” ishin të dukshme, shkëputja dukej e pamundur.
Sot, në një kohë kur gjithçka sillet rreth trendeve të Instagram dhe TikTok, një kundërrrymë e re po fiton terren: joshja e të qenit offline. Nuk është më thjesht “cool” të mos postosh çdo moment, është një deklaratë autonomie, privatësie dhe paqeje mendore.
Brezi që nuk poston, por shikon

Mes përdoruesve më të rinj po shfaqet një sjellje interesante, profile pa foto, pa “story”, pa aktivitet publik. Ata konsumojnë përmbajtje dhe komunikojnë në privat, pa ndjerë nevojën të ekspozojnë jetën e tyre.
Megjithatë, mungesa e postimeve nuk i mbron plotësisht nga efektet negative të rrjeteve sociale. Frika nga gjykimi, lodhja psikologjike nga “scroll”-i i pafund dhe ndjesia e të qenit vazhdimisht i vëzhguar janë ende të pranishme. Shpesh, pikërisht kjo frikë i shtyn të mos ndajnë asgjë. Por nga ana tjetër, fshirja e aplikacioneve sjell një tjetër ankth: frikën se po humbasin diçka (FOMO).
Pse “offline” po bëhet zgjedhje

Nuk bëhet fjalë thjesht për të shmangur rrjetet sociale, por për një element më të thellë: jeta ekziston, dhe shpesh është më e bukur, jashtë ekranit.
Praktika si ndalimi i telefonave në evente mode, për shembull nga The Row, apo trendi i “jetesës analoge”, tregojnë një dëshirë në rritje për të qenë realisht të pranishëm. Edhe në serialin The White Lotus, personazhet paguajnë për luksin e një pushimi ku duhet të dorëzojnë telefonat, një simbol i qartë i nevojës për detoks digjital.
Media si Business Insider e përshkruajnë jetën offline si luksin e ri. Madje, sipas tyre, mund të ketë edhe një dimension social: ata që kanë më shumë mundësi materiale janë të parët që zgjedhin të shkëputen dhe të jetojnë momentin, pa ndjerë nevojën për ta dokumentuar.

Ndërkohë, Esquire argumenton se rrjetet sociale shtrembërojnë perceptimin tonë për botën dhe na bëjnë më të ndjeshëm ndaj manipulimit dhe informacionit të rremë. Në këtë këndvështrim, të qenit online nuk është më privilegj, por diçka e zakonshme, madje “cheap”.

Edhe The New Yorker vëren një ndryshim të madh: të mos kesh ndjekës po bëhet trend. Në një kohë kur dikur numri i followers-ave barazohej me status dhe ndikim, sot vlerësohen më shumë aftësitë reale, arritjet dhe prezenca jashtë botës digjitale.
Ndoshta nuk duhet ta shohim këtë si një trend të përkohshëm, por si një ndryshim real në mënyrën si jetojmë. Luksi i vërtetë nuk është thjesht të mos postosh, por të mos ndjesh nevojën për ta bërë këtë.
