
Të gjithë duam t’u japim fëmijëve tanë gjithçka që u duhet për të pasur sukses në jetë. Por kur kalon kujdesi në llastim? Dhe çfarë bën kur kupton që fëmija po fillon të sillet sikur çdo gjë i takon atij?
Ekspertja e prindërimit dhe psikologia e fëmijëve, Michele Borba, shpjegon si ta dallosh këtë sjellje dhe çfarë mund të ndryshosh që ta rregullosh sa më shpejt.
1. Pranoje që po e llaston
Nëse dyshon që fëmija po bëhet i llastuar, fillo duke parë sjelljen tënde si prind. Fëmijët zakonisht llastohen kur u jepet shumë dhe kur prindërit bëjnë gjithçka për ta, edhe gjëra që duhet t'i bëjnë vetë.
Problemi është tek “teprimi”. Shumë prindër, nga dëshira për t’i mbrojtur ose për t’i parë të lumtur, ua lehtësojnë çdo gjë. Por në vend që t’i ndihmosh të mësojnë vetë, u zgjidh çdo situatë dhe kjo i bën më të varur dhe më kërkues.
2. Kupto pse duhet ndryshuar kjo sjellje
Një fëmijë i llastuar nuk ndikon vetëm në shtëpi, por edhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Nëse do që fëmija yt të jetë mirënjohës, i sjellshëm dhe të sillet me respekt, llastimi shkon kundër këtyre vlerave. Fëmijët e tillë shpesh kanë më pak empati dhe e kanë më të vështirë të lidhen me të tjerët.

3. Mësoji vlerën e lekut
Një nga mënyrat më të mira për të shmangur llastimin është t’i mësosh fëmijës si funksionon paraja.
Nuk ka nevojë për gjëra të komplikuara, mjafton t’i flasësh për çmimet e përditshme dhe të kuptojë që paratë nuk dalin “vetë”. Kur të rritet pak, mund të marrë edhe një shumë të vogël dhe të mësojë si ta menaxhojë.
4. Ndërhy që herët dhe vëzhgo sjelljen
Nëse sheh shenja llastimi, mos e injoro. Sjellja mund të ndryshohet, por kërkon vëmendje.
Vëzhgo kur ndodhin shpërthimet: në çfarë ore, në çfarë situatash. Shumë fëmijë kanë “momente të dobëta” gjatë ditës. Kur i kupton këto modele, mund t’i shmangësh situatat që i nxisin.
Dhe mbi të gjitha: mos i jep shumë vëmendje tekave. Sa më shumë reagim, aq më shumë zgjasin.

5. Funksionon edhe për fëmijët më të rritur
Nëse fëmija yt është më i madh, në adoleshencë, nuk është vonë për ta ndryshuar sjelljen.
Mos u përpiq t’i rregullosh të gjitha menjëherë. Fokusohu te një sjellje në fillim dhe puno me të. Vendos kufij të qartë dhe rri i qëndrueshëm.
Edhe pse nuk është e lehtë, sidomos me fëmijë më të rritur, çelësi është një: qëndrueshmëria. Nëse vendos rregulla, duhet t’i mbash.





