
Dua Lipa ka ndarë për herë të parë foto nga dita e martesës së saj me Callum Turner, duke konfirmuar zyrtarisht një nga lajmet më të përfolura të javës.
Lajmi për martesën e këngëtares me aktorin britanik bëri bujë ditët e fundit, pasi prej muajsh qarkullonin zëra se çifti do të kurorëzonte dashurinë në Itali gjatë verës. Megjithatë, ata zgjodhën të martoheshin në një ceremoni private në Old Marylebone Town Hall në Londër, të rrethuar vetëm nga familjarë dhe miq të ngushtë.
Pak orë më parë, Dua Lipa publikoi në rrjetet sociale disa foto nga ceremonia. Në imazhe, ajo dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, shfaqen të buzëqeshur, të përqafuar dhe duke ndarë momente të ëmbla së bashku. Vëmendje të veçantë mori edhe paraqitja e këngëtares, e cila zgjodhi një stil elegant dhe minimalist për ditën e saj të veçantë.
View this post on Instagram
Edhe pse mediat vazhdojnë të flasin për një ceremoni të dytë martesore në Siçili, çifti nuk ka konfirmuar ende asgjë publikisht. Për momentin, fotot e publikuara nga Dua janë i vetmi reagim i saj pas ceremonisë.
Historia e dashurisë së tyre duket si e marrë nga një film romantik. Edhe pse ishin takuar më herët në Londër, marrëdhënia e tyre nisi realisht në fillim të vitit 2024. Sipas rrëfimeve të vetë çiftit, ata u ritakuan rastësisht në një kafene në Los Angeles, ndërsa mbanin në duar të njëjtin libër.

Turner e ka përshkruar atë moment si një rastësi të pabesueshme, ndërsa Dua ka treguar se pikërisht ai takim e bëri të besonte se mes tyre kishte diçka të veçantë. Që prej asaj dite, lidhja e tyre u zhvillua larg zhurmës së madhe mediatike, derisa çoi në fejesë dhe tashmë në martesë.
Me fotot e publikuara së fundmi, çifti duket më i lumtur se kurrë, duke ndarë me fansat disa nga momentet më të bukura të fillimit të këtij kapitulli të ri në jetën e tyre.
