
Aktorja dhe modelja australiane Ruby Rose ka bërë një akuzë të fortë ndaj këngëtares Katy Perry, duke pretenduar se kjo e fundit e ka sulmuar seksualisht në një klub nate në Melburn, rreth 20 vite më parë.
Pretendimet janë mohuar menjëherë nga përfaqësuesit e këngëtares, të cilët i cilësojnë akuzat si “plotësisht të rreme”.
E njohur për rolet e saj në Orange Is the New Black dhe John Wick: Chapter 2, Ruby Rose publikoi disa postime në rrjetin social Threads më 12 prill.
Ajo reagoi fillimisht ndaj një artikulli që lidhej me një koment të Katy Perry për performancën e Justin Bieber në festivalin Coachella, duke shkruar:
“Katy Perry më ka sulmuar seksualisht në klubin Spice Market në Melburn. Kujt i intereson çfarë mendon ajo”.
Në një tjetër koment, Rose shtoi se në kohën e ngjarjes ishte “në fillim të të 20-ave” dhe se i janë dashur gati dy dekada për ta bërë publike këtë histori.
“Jam mirënjohëse që kam arritur deri këtu sa të gjej zërin tim, por kjo tregon sa i madh është ndikimi i traumës dhe abuzimit seksual”, shkroi ajo.

Megjithatë, përfaqësuesi i Katy Perry-t reagoi menjëherë, duke hedhur poshtë kategorikisht akuzat.
“Pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale janë jo vetëm tërësisht të rreme, por edhe të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, thuhet në deklaratë.
Sipas tij, Ruby Rose ka një histori të dokumentuar të ngritjes së akuzave publike ndaj personave të ndryshëm, të cilat janë mohuar vazhdimisht.
Në postime të tjera, Rose përshkroi në detaje incidentin e pretenduar, duke dhënë një version të saj të ngjarjes. Ajo theksoi gjithashtu se për të ka qenë shumë më e vështirë të flasë për abuzimin mes grave sesa për rastet me agresorë meshkuj.

Aktorja u shpreh se nuk ka ndërmend të bëjë kallëzim zyrtar për këtë çështje, pavarësisht se akuzat e saj janë serioze. Ajo gjithashtu pretendoi se marrëdhënia mes saj dhe Katy Perry-t ka qenë më e ndërlikuar ndër vite.
Megjithatë, deri tani, nuk ka prova publike që mbështesin pretendimet e Ruby Rose.



