
Stephen Colbert ka gjetur projektin e tij të radhës pas përfundimit si moderator i “The Late Show” në maj: ai do të shkruajë një film të ri të “Lord of the Rings”, me titull provizor "The Lord of the Rings: Shadow of the Past".
Regjisori Peter Jackson, i cili realizoi trilogjinë “Lord of the Rings” dhe atë të “Hobbit”, bëri njoftimin surprizë përmes një videoje në rrjetet sociale të martën. Colbert është një fans i zjarrtë dhe i kahershëm i J. R. R. Tolkien dhe madje ka pasur një paraqitje të shkurtër në filmin e vitit 2013 "The Hobbit: The Desolation of Smaug", së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Sipas raportimeve, filmi do të titullohet "The Lord of the Rings: Shadow of the Past" dhe do të shkruhet nga Colbert, Philippa Boyens dhe Peter McGee. Ngjarja zhvillohet 14 vite pas largimit të Frodo-s dhe ndjek Sam, Merry dhe Pippin teksa nisen për të rigjetur hapat e parë të aventurës së tyre. Ndërkohë, vajza e Sam-it, Elanor, zbulon “një sekret të varrosur prej kohësh që shpjegon pse Lufta e Unazës pothuajse u humb para se të fillonte”.
Në një video me Jackson, Colbert tregoi se u frymëzua për historinë pasi rilexoi "The Fellowship of the Ring" dhe u ndal veçanërisht te kapitujt tre deri në tetë, të cilët nuk u përfshinë në adaptimin filmik.
“E di çfarë kuptimi kanë librat për mua dhe çfarë kuptimi kanë filmat e tu, por ajo që e gjeja veten duke lexuar vazhdimisht ishin gjashtë kapitujt e hershëm në 'Fellowship' që ju nuk i zhvilluat në filmin e parë,” i tha Colbert Jackson-it.
“Mendova: ndoshta kjo mund të jetë një histori më vete që përshtatet brenda rrëfimit të madh. A mund të krijojmë diçka që të jetë plotësisht besnike ndaj librave dhe njëkohësisht ndaj filmave?”

Colbert tha se më pas zhvilloi një plan të historisë bashkë me djalin e tij, skenaristin Peter Colbert.
“M'u deshën disa vite të mblidhja guximin për të të telefonuar, por rreth dy vite më parë e bëra. Të pëlqeu aq shumë të flisnim për të… dhe nuk mund të jem më i lumtur që edhe [Warner Bros.] e pëlqeu,” i tha Colbert Jackson-it.
Jackson bëri shaka se Colbert do të duhet të gjejë kohë për projektin, duke iu referuar anulimit të debatueshëm të “The Late Show” nga CBS, emision që Colbert e drejtonte që nga viti 2015. Anulimi u kritikua si i motivuar politikisht, pasi erdhi menjëherë pasi Colbert kritikoi kompaninë mëmë të CBS, Paramount, për një marrëveshje prej 16 milionë dollarësh me Donald Trump, i cili ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj tij.
Në përgjigje, Colbert tha: “Duket se do të jem i lirë duke filluar nga kjo verë”, ndërsa Jackson u përgjigj me humor: “Sa me fat!”

Filmi do të prodhohet nga Jackson së bashku me producentët e vjetër të filmave, Philippa Boyens dhe Fran Walsh.
Ky projekt është filmi i dytë i ardhshëm në universin e Tolkien-it. "Lord of the Rings: The Hunt for Gollum", i planifikuar për t’u publikuar më 17 dhjetor 2027, do të drejtohet nga Andy Serkis dhe do të ndjekë Aragorn-in në përpjekjen për të kapur Gollum-in në periudhën mes “The Hobbit” dhe “The Fellowship of the Ring”, për të parandaluar që Unaza të bjerë në duart e Sauron-it.
Gjashtë filmat e “Lord of the Rings” dhe “Hobbit” kanë gjeneruar së bashku rreth 5.9 miliardë dollarë në arkëtime globale.