
Traileri i shumëpritur i sezonit të tretë të Euphoria është publikuar dhe ka emocionuar menjëherë fansat. Një nga momentet më të komentuara të klipit është paraqitja e aktorit Eric Dane, i cili u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare, pas një beteje me Skleroza Laterale Amiotrofike (ALS).
Aktori rikthehet në rolin e tij si Cal Jacobs, babai i Nate, personazh i luajtur nga Jacob Elordi. Ai shfaqet përballë personazhit Jules, në një takim që ka prekur publikun. Në dialogun e shkurtër, ajo e pyet:
“A më mban mend?”, ndërsa ai i përgjigjet: “Si mund të të harroj?”, një moment që është cilësuar si ndër më emocionuesit.
Pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, Eric Dane arriti të përfundojë xhirimet për sezonin e ri para ndarjes nga jeta. Sëmundja nga e cila vuante prek qelizat nervore në tru dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar humbje graduale të kontrollit të muskujve.

Në sezonin e tretë rikthehen gjithashtu edhe emra të njohur të kastit si Zendaya, Sydney Sweeney dhe Alexa Demie, duke premtuar një vazhdim edhe më të fortë të historisë.
Sezoni i ri i Euphoria pritet të ketë premierën më 12 prill dhe, sipas raportimeve, do të trajtojë tema më të thella si besimi, shpengimi dhe përballja me anët më të errëta të vetes.

