
Ben Affleck raportohet se i ka dhuruar ish-bashkëshortes së tij Jennifer Lopez pjesën e tij të plotë në vilën e tyre prej 60 milionë dollarësh pa asnjë pagesë.
Sipas TMZ, marrëveshja e ndarjes së pasurisë është modifikuar dhe përfshin një “transferim prone mes bashkëshortëve”. Dokumenti nuk specifikon natyrën e saktë të transferimit, por burime pranë situatës kanë thënë se aktori i ka kaluar këngëtares gjithë pjesën e tij të pronës pa kosto.

Vila ndodhet në Beverly Hills të Kalifornisë dhe është blerë në qershor 2023 për rreth 60.85 milionë dollarë, kur çifti ishte ende i martuar. Prona gjigante prej rreth 38,000 metrash katrorë përfshin 12 dhoma gjumi, 24 banjo dhe një fushë basketbolli, dhe ishte menduar si shtëpia e tyre e përbashkët.

Në atë kohë, sipas raportimeve, çifti e kishte blerë shtëpinë me para në dorë. Më pas, rreth një vit më vonë, ata e nxorën pronën në shitje mes thashethemeve për divorc.
Pavarësisht raportimeve se Jennifer Lopez e konsideronte shtëpinë shumë të madhe dhe se Ben Affleck nuk e kishte pëlqyer kurrë pronën, këngëtarja paraqiti kërkesë për divorc dy muaj më vonë.


Po atë verë, Ben Affleck bleu një vilë tjetër në Pacific Palisades për rreth 20.5 milionë dollarë, në mënyrë që të ishte më pranë fëmijëve të tij nga martesa me Jennifer Garner.
Jennifer Lopez bleu më pas një shtëpi në Los Anxhelos për rreth 18 milionë dollarë për veten dhe binjakët e saj.


Megjithatë, me këtë zhvillim të ri, duket se e ardhmja e vilës është plotësisht në duart e Jennifer Lopez, e cila kohët e fundit ka thënë se ndihet “e lirë” pas ndarjes dhe po kalon një periudhë të re në jetën e saj.
Në një intervistë, ajo u shpreh:
“Jam në një periudhë të lumtur. Për herë të parë ndiej se jam e lirë dhe në kontroll të jetës sime. Ndihem shumë mirë.”





