
Netflix ka njoftuar prodhimin e një seriali të ri të dedikuar jetës së artistes legjendare meksikane Frida Kahlo. Projekti do të prodhohet nën regjinë e Maria Renée Prudencio-s dhe do të fokusohet veçanërisht në marrëdhënien e saj komplekse me piktorin e njohur Diego Rivera-n.

Seriali, i prodhuar nga Mónica Lozano, bazohet në romanin Rien n'est noir të autores Claire Berest. Historia do të eksplorojë jetën personale dhe artistike të dy protagonistëve, si dhe mënyrën se si ndryshimet politike dhe shoqërore të kohës ndikuan në artin dhe marrëdhënien e tyre.

Sipas Carolina Leconte, zv.presidente e përmbajtjes së Netflix në Meksikë, ambicia e projektit është të tregojë një portret sa më autentik të artistes.
“Duam të tregojmë një Fridë të vërtetë, një Fridë që duket sikur del nga ekrani dhe të merr për dore për të përjetuar historinë e saj në një nga periudhat më të rëndësishme të Meksikës, një vend që Frida dhe Diego e vendosën në hartën e botës”, tha ajo për Variety.
Seriali synon t’i çojë shikuesit në anën më intime të jetës së dy figurave historike, duke eksploruar dashurinë, konfliktet dhe bashkëpunimin e tyre artistik. Projekti premton t’i paraqesë Fridën dhe Diegon në një mënyrë më të gjallë dhe më të afërt me publikun bashkëkohor.
Regjisorja Patricia Riggen e konsideron projektin shumë personal për të.
“Kam qenë një fanse e Fridës që kur isha fëmijë, për guximin e saj dhe mënyrën se si e transformoi dhimbjen në forcë. Dua të tregoj marrëdhënien e saj me Diegon nga një perspektivë femërore dhe meksikane, por edhe me një këndvështrim ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Interesi i vazhdueshëm për Frida Kahlo-n

Figura e Frida Kahlo ka frymëzuar prej kohësh kinemanë dhe botën e dokumentarëve. Një nga projektet më të njohura është filmi biografik i vitit 2002 nga regjisorja Julie Taymor, me protagoniste Salma Hayek, i cili u nominua për disa çmime Oscar.
Së fundmi, jeta dhe vepra e artistes janë trajtuar edhe në dokumentarin Frida nga regjisorja Carla Gutiérrez, i cili pati premierën në Sundance Film Festival. Interesi për artin e saj dhe për krijimtarinë e Diego Rivera-z vazhdon të rritet, duke konfirmuar ndikimin e jashtëzakonshëm që dyshja ka pasur në historinë e artit botëror.

