
Gjyqi për trafikim seksual ndaj Sean “Diddy” Combs ka hyrë në një fazë tronditëse, teksa juria u përball për herë të parë me video të ashtuquajturave “freak-offs” – orgji të zgjatura në kohë me drogë dhe eskorta, që sipas prokurorëve organizoheshin dhe menaxhoheshin me kujdes nga stafi i Diddy-t.
Për më shumë se gjashtë javë, juria ka dëgjuar audio, parë foto dhe dëshmi nga ish-partnerja e tij, Cassie Ventura, por ditën e hënë, për herë të parë panë pamje filmike që përshkruanin në detaj se çfarë ndodhte pas dyerve të mbyllura.
Vetëm juria dhe gjykata i panë videot, në kushte të rrepta privatësie. Pamjet ishin nga tetori i vitit 2012, kur Cassie, sipas mesazheve, kishte komunikuar me dy eskorta meshkuj për t’u takuar në një hotel luksoz në New York – ku rezervimet ishin bërë me emra të rremë si “Frank Black” dhe “Janet Clark.”
Përveç pamjeve, juria dëgjoi edhe mesazhe tronditëse, ku ish-shefja e kabinetit të Diddy-t, Kristina Khorram, shkruante:
“Kujdes, ai ndoshta do bëjë ‘wild king night’ sonte” – një term i brendshëm që përkthehej në “freak-off”.
Në një tjetër mesazh të vitit 2023, një vajzë e identifikuar si "Jane Doe" i shkruan Khorram-it:
“Po e them troç: Nuk bëj më festa të çmendura… jo më netë në hotele.”
Diddy, i akuzuar për pesë vepra federale, përfshirë trafikim seksual dhe shfrytëzim prostitucioni, ka deklaruar pafajësinë e vet. Megjithatë, provat e ditës së hënë e vendosin atë në një pozitë të vështirë.
Prokuroria pritet të thërrasë sot në dëshmi Brendan Paul, ish-asistenti i Diddy-t, i përfolur si personi që i sillte drogën. Në një nga mesazhet, Khorram i kërkon të dashurës së Diddy-t të marrë “pakon e Guidos” – një pseudonim për një trafikant droge të identifikuar nga dëshmitarët.
Në fund të seancës, një anëtar jurie u përjashtua për “mungesë sinqeriteti ndaj gjykatës,” duke shtuar edhe më shumë tension në një gjyq që po zbërthen një botë të errët të muzikës, pushtetit dhe abuzimit.
Gjyqi vazhdon, dhe me çdo ditë që kalon, hijet mbi figurën e Diddy-t bëhen gjithnjë e më të dendura.