
Këtë të diel, më 29 mars, akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, duke shënuar fillimin e kohës së verës në shumë vende të Evropës. Edhe pse ndryshimi duket i vogël, ekspertët paralajmërojnë se ai mund të ndikojë ndjeshëm në organizmin tonë, pasi ndërhyn në circadian rhythm, “orën” e brendshme biologjike që rregullon gjumin, zgjimin, prodhimin e hormoneve dhe humorin.
Shumica e njerëzve arrijnë të përshtaten me këtë ndryshim brenda rreth një jave. Megjithatë, për disa persona përshtatja mund të zgjasë më shumë, madje edhe disa javë apo muaj, në varësi të predispozitës së tyre gjenetike. Në periudhën e parë pas ndryshimit të orës, studimet kanë treguar një rritje të përkohshme të aksidenteve rrugore, si edhe një rrezik më të lartë për episode depresive dhe probleme kardiovaskulare.
Nga ana tjetër, një nga përfitimet më të dukshme të kalimit në kohën e verës janë orët më të gjata me dritë gjatë pasdites, që u japin njerëzve më shumë mundësi për aktivitete në natyrë.
View this post on Instagram
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ekspozimi ndaj dritës deri vonë në mbrëmje mund ta bëjë më të vështirë për trupin të kuptojë se është koha për t’u çlodhur dhe për të fjetur. Drita pengon prodhimin e melatoninës, hormonit që ndihmon organizmin të përgatitet për gjumë. Sa më shumë dritë të ketë në mbrëmje, aq më shumë vështirësohet rënia në gjumë.
Sipas studiuesit të ritmit cirkadian në King's College London, Jeffrey Kelu, shumica e njerëzve përshtaten relativisht shpejt me ndryshimin e orës, por për disa individë procesi mund të zgjasë më shumë. Ai shpjegon se ora e brendshme e trupit ndikohet edhe nga gjenetika dhe se nevojiten më shumë studime për të kuptuar pse disa njerëz e kanë më të vështirë të sinkronizohen.

Eksperti rekomandon që për një gjumë më cilësor, dhoma e gjumit të mbahet sa më e errët para dhe gjatë gjumit, në mënyrë që trupi të marrë sinjalin e duhur se dita ka përfunduar.
Ritmi cirkadian është thelbësor për shëndetin, pasi ndihmon organizmin të funksionojë në përputhje me ciklin 24-orësh të ditës. Kur ky ritëm prishet, rritet rreziku për probleme si obeziteti, sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2 dhe tensioni i lartë i gjakut. Studime të fundit kanë gjetur gjithashtu lidhje mes një ritmi të dobët cirkadian dhe rrezikut për demencë.
Ndërkohë, prej vitesh në Evropë vazhdojnë debatet për heqjen e ndryshimit sezonale të orës. Shumë shkencëtarë rekomandojnë që të ruhet përgjithmonë ora dimërore, pasi ajo përputhet më mirë me ritmin natyror të trupit dhe siguron më shumë dritë natyrore në mëngjes, një element shumë i rëndësishëm për rregullimin e orës biologjike, sidomos gjatë muajve të dimrit.