
Nuk është gjithmonë e lehtë të dallosh një person toksik. Shpesh ata nuk janë njerëz “të këqij” në thelb. Në shumë raste janë njerëz të pasigurt, të lënduar ose të mbingarkuar emocionalisht, dhe pikërisht kjo i shtyn të sillen në mënyra që ndikojnë negativisht te të tjerët.
Psikologët thonë se njerëzit që ndihen të pafuqishëm ose sikur kanë humbur kontrollin mbi jetën e tyre, kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje negative ndaj të tjerëve. Kjo nuk do të thotë që duhet t’i urrejmë, por as nuk do të thotë se duhet t’i tolerojmë pa kufij.
Në jetën e përditshme, disa sjellje janë sinjale të qarta se kemi të bëjmë me një person toksik dhe se distanca emocionale mund të jetë zgjedhja më e shëndetshme për mirëqenien tonë mendore.
Ja 4 tiparet që njerëzit më toksikë kanë zakonisht të përbashkëta:
Pengojnë vazhdimisht përparimin tënd

Ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që të ndihmojnë të ecësh përpara dhe ata që bëhen pengesë në rrugën tënde.
Njerëzit toksikë shpesh ndihen të kërcënuar nga progresi i të tjerëve. Në vend që të të mbështesin, ata përpiqen të të mbajnë “në vend”. Mund të të japin punë të panevojshme, të të humbasin kohën ose të të bëjnë të ndihesh fajtor pse po përpiqesh të arrish diçka më shumë.
Shpesh kjo sjellje lidhet me pasiguritë e tyre. Disa njerëz ndihen më të fuqishëm vetëm kur kontrollojnë ose pengojnë dikë tjetër.
Çdo marrëdhënie për ta është “llogari”

Ke vënë re njerëz që mbajnë mend çdo favor që të kanë bërë? Që të kujtojnë vazhdimisht se “ta kanë dhënë një dorë” dhe presin diçka në këmbim?
Këta persona e shohin çdo marrëdhënie si një transaksion.
Sigurisht, marrëdhëniet kanë reciprocitet, por njerëzit emocionalisht të shëndetshëm nuk mbajnë “pikë” për çdo gjë. Ndërsa personat toksikë e përdorin ndihmën si mënyrë kontrolli ose manipulimi emocional.
Në fund, çdo bisedë me ta të lë me ndjesinë sikur “u ke borxh”.
Shkarkojnë frustrimet e tyre mbi ty

Një nga shenjat më të zakonshme të toksicitetit është kur dikush të trajton keq për arsye që nuk kanë fare lidhje me ty.
Psikologjia e quan këtë “zhvendosje emocionale”: dikush zemërohet me një person ose situatë tjetër, por frustrimin e nxjerr mbi dikë më të dobët ose më të disponueshëm.
Janë ata njerëz që shpërthejnë papritur, bëhen agresivë pa arsye ose të bëjnë të ndihesh keq edhe kur nuk ke bërë asgjë gabim.
Nëse dikush të përdor vazhdimisht si “kosh emocional” për stresin e vet, kjo është një shenjë që duhet të vendosësh kufij.
E dramatizojnë çdo gabim të vogël

Njerëzit toksikë kanë tendencën të bëjnë “qimen tra”.
Një vonesë e vogël, një gabim i parëndësishëm apo një detaj minimal mund të shndërrohet në dramë të madhe. Shpesh kjo nuk ndodh sepse situata është vërtet serioze, por sepse ata kërkojnë të ndihen superiorë, në kontroll ose “perfektë”.
Psikologët thonë se kjo sjellje lidhet shpesh me pasiguri të thella personale. Duke kritikuar të tjerët për çdo detaj, ata përpiqen të mbulojnë ndjenjat e tyre të pamjaftueshmërisë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë edhe diçka të rëndësishme: të mbash distancë nga njerëzit toksikë nuk do të thotë t’i urresh ata.
Në shumë raste, pas sjelljes së tyre fshihen dhimbje, frustrime ose probleme emocionale të pazgjidhura. Por kjo nuk do të thotë që duhet të sakrifikosh qetësinë tënde mendore për t’i “shpëtuar”.
Zgjidhja më e shëndetshme është të tregosh empati, por njëkohësisht të vendosësh kufij të qartë.
Sepse, në fund të ditës, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti yt mendor.


