
Blake Lively është kritikuar ashpër nga komuniteti i YouTuber-ave për një postim të saj në Instagram, ku ankohej për dhunën digjitale, duke iu referuar komenteve fyese në rrjet, menjëherë pas disfatës në betejën gjyqësore kundër Justin Baldoni-t.
Aktorja shkroi për dhimbjen që po përjetonte për shkak të sulmeve online, duke shkaktuar zemërim tek disa prej YouTuber-ave që ajo i kishte paditur më herët, pasi komentuan në kanalet e tyre përplasjet Lively-Baldoni.

Në një deklaratë të gjatë, Lively shkroi:
“Gjëja e fundit që doja në jetën time ishte një padi, por e ngrita këtë çështje për shkak të hakmarrjes gjithëpërfshirëse me të cilën u përballa, dhe vazhdoj të përballem, për shkak se privatisht dhe profesionalisht kërkova një mjedis pune të sigurt për veten dhe të tjerët.”
Disa nga krijuesit reaguan menjëherë, duke i thënë Daily Mail se Blake Lively po tregohet hipokrite.
Reagimet e saj kanë ngjallur pakënaqësi te influencues dhe komentues online, të cilët u përfshinë në mosmarrëveshjen e vitit të kaluar, kur Lively kërkoi akses në të dhënat e tyre private, duke përfshirë informacione financiare, adresat dhe numrat e telefonit.
Mes tyre ishin edhe figura të njohura si Candace Owens, Perez Hilton, si dhe krijues më pak të njohur me disa qindra ndjekës dhe pak mundësi për të sfiduar një yll Hollywood-an. Disa prej tyre shprehen se kanë paguar fatura ligjore deri në 15,000 dollarë.

Madje, Lauren Neidigh, me 31,000 ndjekës në kanalin e saj YouTube “The Court of Random Opinion”, kërkoi urdhër mbrojtjeje kundër Lively-t, duke theksuar se ndihej e kërcënuar për shkak të padive e seancave gjyqësore.
Ndërkohë, disa nga krijuesit e përmbajtjeve online kanë theksuar se akoma enden nëpër dyert e gjykatave, pasi aktorja ka vendosur t’i padisë një e nga një, duke mos u tërhequr për asnjë moment nga sfida ligjore ndaj tyre.
Ata shprehen se të pretendosh se dhuna digjitale është e dhimbshme, ndërkohë që padit e dëmon çdo individ që të del kundër, madje edhe orkestron një sulm në rrjet ndaj Baldoni-t, është një veprim jashtëzakonisht hipokrit nga ana e saj.




