Aktorja Elle Fanning ka zbuluar se krijoi një llogari në platformën OnlyFans si pjesë e përgatitjeve për rolin e saj në serialin e ri Margo's Got Money Troubles.

Aktorja 27-vjeçare foli për revistën People në prag të premierës së serialit në SXSW Film & TV Festival më 12 mars, duke shpjeguar se donte të kuptonte më mirë botën digjitale në të cilën përqendrohet personazhi që ajo interpreton.
“Kishte shumë gjëra që duhej të bëja për t’u përgatitur”, u shpreh ajo. “Sigurisht që përdor Instagram dhe TikTok, ndaj mund t’i vëzhgoja më nga afër. Por na u desh gjithashtu të shihnim më mirë edhe OnlyFans. Krijuam një llogari për mua, në mënyrë që të kuptoja se si funksionon platforma.”
Në premierën e serialit, Fanning u shfaq me një fustan të kuq me dantellë në fund dhe mëngë të gjata. Ajo u fotografua gjithashtu pranë aktores legjendare Michelle Pfeiffer, e cila zgjodhi një veshje elegante blu, të kombinuar me një këmishë sateni dhe kostum të errët.

Seriali bazohet në romanin bestseller të vitit 2024 me të njëjtin titull nga Rufi Thorpe dhe ndjek historinë e Margo Millet, një gruaje të re që braktis kolegjin ndërsa përpiqet të realizojë ëndrrën për t’u bërë shkrimtare. Në të njëjtën kohë, ajo përballet me vështirësi serioze financiare teksa rrit e vetme fëmijën e saj.
Në përpjekje për të rindërtuar jetën, Margo mbështetet tek nëna e saj Shaynne, e interpretuar nga Michelle Pfeiffer, një ish-kamariere e Hooters, si dhe tek babai i saj Jinx, një ish-mundës profesionist i luajtur nga Nick Offerman.
Seriali është krijuar nga David E. Kelley, ndërsa në kastin e aktorëve bën pjesë edhe Nicole Kidman, e cila shërben gjithashtu si producente ekzekutive.
Duke folur për projektin, Elle Fanning e përshkroi historinë si “prekëse dhe plot shpresë”. Sipas saj, personazhi që interpreton përballet me shumë sfida, por gjen gjithmonë forcën për të vazhduar përpara.