
Kur fëmijët fillojnë shkollën, shumë nëna presin që kjo periudhë të jetë një mundësi për të krijuar edhe miqësi të reja me prindër të tjerë. Megjithatë, realiteti për disa prej tyre është ndryshe, ato përballen me një ndjenjë izolimi social apo edhe me një përjashtim nga grupet informale që krijohen mes nënave.
Sipas psikologes Anna Marcolin, ky fenomen është më i zakonshëm nga sa mendohet dhe ka disa arsye që e shpjegojnë. Ajo i quan këto gra “nëna margjinale”, duke iu referuar nënave që e gjejnë veten jashtë rretheve sociale që krijohen mes prindërve në shkollë.
“Klikat” mes nënave

Marcolin shpjegon se shpesh disa nëna krijojnë grupe të vogla dhe të mbyllura miqësore, të cilat funksionojnë si “klika”. Brenda tyre ato përpiqen të ndihen të veçanta dhe të rrethohen nga njerëz që i konsiderojnë të ngjashëm me veten.
“Është pak a shumë si versioni për të rritur i filmit Mean Girls”, thotë ajo. “Ka nëna që, kur fëmijët e tyre shkojnë në shkollë fillore, në njëfarë mënyre rikthehen në dinamikat e shkollës së mesme.”
Sipas saj, në këto grupe shpesh përsëriten të njëjtat sjellje që ndodhin në adoleshencë, përfshirja vetëm e personave që konsiderohen “cool”, ndërsa të tjerët mbeten jashtë rrethit social.
Pasojat që mund të ketë kjo sjellje

Edhe pse mund të duket si një situatë e vogël apo madje edhe qesharake, kjo dinamikë mund të ketë pasoja të vërteta emocionale. Përjashtimi social nuk prek vetëm nënat, por ndonjëherë mund të ndikojë edhe tek fëmijët.
Në disa raste, grupet mes nënave reflektohen edhe tek aktivitetet e fëmijëve. Nëse një nënë nuk konsiderohet pjesë e grupit, ekziston mundësia që edhe fëmija i saj të mos përfshihet në disa aktivitete apo takime me bashkëmoshatarët.
Pse ndodh kjo në shkollë?
Sipas Marcolin, shkolla është një nga vendet ku krijohen shumë marrëdhënie sociale mes prindërve. Shpesh disa nga këto miqësi janë krijuar prej vitesh dhe formojnë një rrjet të fortë social, brenda të cilit mund të shfaqen edhe grupet.
Kjo e bën më të vështirë për një nënë të re që të integrohet në këto grupe, veçanërisht nëse nuk ka kohë ose mundësi të marrë pjesë në aktivitetet e tyre sociale.

Si mund të përballeni me këtë situatë
Psikologia këshillon që nënat që ndihen të përjashtuara të mos dorëzohen përballë kësaj situate. Një mënyrë e mirë është të marrin vetë iniciativën për të organizuar aktivitete të vogla dhe për të ftuar prindër të tjerë.
Ajo sugjeron gjithashtu që të shfrytëzohen edhe mundësitë e rrjetëzimit online, përmes grupeve të prindërve apo komuniteteve lokale. Një tjetër këshillë është që të tregoni hapur se nuk përjashtoni askënd dhe të përpiqeni të krijoni kontakte sidomos me nënat që jetojnë në të njëjtën lagje.
Në përfundim, Marcolin e krahason këtë përvojë me zhvendosjen në një vend të ri. Në fillim nuk njeh askënd dhe mund të duket sikur të gjithë janë të ftohtë. Por me kalimin e kohës, duke treguar se kush je në të vërtetë, gjithmonë do të ketë njerëz që do të duan të të njohin më mirë.


