
Jess Davies ishte vetëm 19 vjeç kur, duke kërkuar emrin e saj në Google, u përball me një përvojë që do ta trondiste thellë. Në një platformë online, ajo hasi një postim abuziv ku imazhi i saj ishte përdorur në mënyrë të pahijshme, pa pëlqimin e saj.
Saktësisht, dikush kishte shpërndarë një video, teksa mastrubohej me fotot e saj. Për modelen dhe prezantuesen britanike, ky ishte kontakti i parë me një formë të tillë shfrytëzimi digjital.

Edhe pse më parë kishte përjetuar vjedhje dhe publikim të paautorizuar të fotove të saj, kjo situatë ishte ndryshe dhe shumë më e rëndë emocionalisht. Jess e përshkruan ndjesinë si “pafuqishmëri” dhe “turp”, ndërsa përjetoi një përzierje emocionesh kontradiktore që e lanë të hutuar. Sipas saj, përvoja të tilla ndikojnë thellë në vetëvlerësim dhe mënyrën si e sheh veten.
View this post on Instagram
Në një intervistë për BBC, ajo tregoi se dëshira e parë ishte thjesht ta zhdukte materialin nga interneti. “Pyesja veten: kush e ka parë? Ku tjetër është shpërndarë? Por e di që nuk ke kontroll”, shprehet ajo. Në rastin e saj, postimi ndodhej në një platformë ku nuk kishte as mundësi ta raportonte.
Pikërisht kjo ndjenjë mungese kontrolli e shtyu Jess të reagojë. Ajo vendosi ta kthejë përvojën e saj në një kauzë, duke bërë fushatë për prezantimin e këtij lloji abuzimi në Angli dhe Uells. Qëllimi i saj ishte i qartë: të mbrojë gra të tjera dhe të dërgojë një mesazh të fortë se këto veprime nuk janë të pranueshme dhe nuk duhet të normalizohen si “diçka që ndodh online”.
Përpjekjet e saj nisën të japin rezultat. Së fundmi, Charlotte Owen paraqiti një amendament ligjor që synon dënimin e përmbajtjeve të krijuara edhe me inteligjencë artificiale që shfrytësohen në këtë formë abuzimi. Ky moment shënon hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së viktimave në epokën digjitale.
Çfarë duhet të bëni nëse përballeni me një situatë të tillë?

Nëse e gjeni veten në një situatë të ngjashme, është e rëndësishme të dini se nuk jeni vetëm dhe nuk është faji juaj. Hapi i parë është të ruani prova (screenshot, linke), pasi ato mund të jenë të nevojshme. Më pas, përpiquni ta raportoni/report përmbajtjen në platformën ku është publikuar ose përmes organizatave që merren me sigurinë online.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme të kërkoni mbështetje, qoftë nga miq, familjarë apo profesionistë të shëndetit mendor. Këto përvoja mund të ndikojnë thellë emocionalisht dhe nuk duhen përballuar vetëm. Në disa raste, mund të jetë e nevojshme edhe ndjekja ligjore, sidomos nëse identifikohet personi përgjegjës.
Mbi të gjitha, mos lejoni që një situatë e tillë të përcaktojë mënyrën si e shihni veten. Vlera juaj nuk përcaktohet nga veprimet e të tjerëve, por nga mënyra si zgjidhni të reagoni dhe të mbroheni.