
Ka momente kur stresi apo tensioni shfaqen pa paralajmërim dhe të ruash qetësinë duket pothuajse e pamundur. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ekzistojnë disa teknika të thjeshta, por shumë efektive, që ndihmojnë trupin dhe mendjen të rikthehen në ekuilibër më shpejt nga sa mendoni.
Fuqia e frymëmarrjes

Një nga mjetet bazë dhe të menjëhershme është frymëmarrja. Frymëmarrjet e thella dhe të ngadalta ndihmojnë në ndërprerjen e ciklit të stresit dhe në uljen e tensionit, duke aktivizuar mekanizmat natyralë të relaksimit të trupit. Edhe një ndryshim i vogël në ritëm, por mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si ndiheni.
Prano atë që ndjen

Shpesh përpiqemi të injorojmë emocionet negative, por kjo vetëm sa i forcon ato. T’i japësh një emër ndjenjës, qoftë ankth apo zemërim, e bën më të menaxhueshme dhe ul intensitetin e saj. Ky është një hap i rëndësishëm drejt vetëdijes dhe kontrollit emocional.
Ndrysho mjedisin

Ndonjëherë, gjithçka që ju duhet është një shkëputje e vogël. Të largoheni për disa minuta nga ambienti që ju streson, të bëni një shëtitje të shkurtër apo thjesht të ndryshoni hapësirë, mund të ndërpresë rrjedhën e mendimeve negative dhe t’ju ndihmojë të kthjelloheni.
Lëviz

Aktiviteti fizik është një nga mënyrat më të mira për të çliruar tensionin. Edhe një ecje e thjeshtë mund të përmirësojë humorin dhe të ndihmojë trupin të lirojë energjinë e grumbulluar nga stresi.
Shkruaj mendimet

Hedhja e mendimeve në letër ndihmon për të krijuar distancë nga situata stresuese. Kur i shihni gjërat të shkruara, ato duken më të qarta dhe më të menaxhueshme, duke ju ndihmuar të organizoni më mirë reagimet tuaja.
Qetësia nuk është një gjendje që arrihet menjëherë, por një proces i përbërë nga hapa të vegjël. Duke i praktikuar rregullisht këto teknika, mund të krijoni një ekuilibër më të qëndrueshëm në përditshmëri dhe të përballoni më mirë momentet e vështira.


