
Pas javësh spekulimesh në rrjet për pamjen e saj, Anne Hathaway ka vendosur më në fund të reagojë publikisht.
Aktorja e njohur e filmit The Devil Wears Prada ka mohuar zërat se ka kryer ndërhyrje plastike së fundmi, duke sqaruar se ndryshimi në pamjen e saj erdhi thjesht nga një model flokësh me gërsheta që krijonte efekt lifting-u.
Në një intervistë të re për revistën Elle, publikuar më 21 maj, Hathaway tregoi pse vendosi të flasë për thashethemet, edhe pse zakonisht preferon të mos komentojë mbi jetën personale apo spekulimet që qarkullojnë online.
“Jetojmë në një kohë kur njerëzit ndihen shumë të sigurt për të supozuar se ajo që mendojnë është fakt,” tha aktorja 43-vjeçare. “Ndonjëherë kanë të drejtë dhe ndonjëherë jo.”
Ajo shpjegoi se zhurma rreth pamjes së saj ishte bërë aq e madhe, sa ndjeu nevojën të tregonte versionin e saj të së vërtetës.
“Fillova të pyes veten nëse duhej ta postoja apo jo atë video. Ndoshta duhej thjesht të vazhdoja të bëja atë që më bën të ndihem mirë dhe më jep vetëbesim në tapetin e kuq. Por ndjeva se e gjithë biseda po bëhej shpërqendruese,” u shpreh Hathaway.

Më tej, ajo theksoi se njerëzit po flisnin për “vendime të mëdha mjekësore” pa ditur asgjë konkrete.
“Doja të tregoja se jo, nuk kam marrë ndonjë vendim të madh estetik. Janë thjesht dy gërsheta,” tha ajo me humor.
Megjithatë, aktorja nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë të bëjë ndërhyrje estetike.
“Ndoshta një ditë mund të bëj lifting fytyre,” pranoi ajo sinqerisht.
Gjatë intervistës, Hathaway foli edhe për fillimet e karrierës së saj dhe mënyrën si kritikat ndikuan tek ajo.
“Kur isha më e re, kisha shumë frikë dhe ajo frikë më bënte shumë të ashpër me veten,” tha fituesja e Oscar-it. “Madje më vjen keq kur mendoj se mund të kem qenë e ashpër edhe me të tjerët, vetëm sepse isha e tillë me veten.”

Në një tjetër intervistë për revistën PEOPLE, Hathaway foli edhe për konceptin e saj të bukurisë, duke thënë se autenticiteti është ajo që e bën dikë realisht të bukur.
“Bukuria mund të përmbajë edhe papërsosmëri, për sa kohë që ka të vërtetë brenda saj,” tha aktorja.
Ajo tregoi gjithashtu me humor se për vite me radhë nuk arrinte të realzonte modelin e flokëve që dëshironte, derisa një ditë vendosi thjesht t’u tregonte stilistëve një foto reference.

